Integrimi Evropian

Irlanda përkrahë anëtarësimin e Kosovës në BE

10 Shkurt, 2016

Prishtinë, 10 shkurt 2016 – Zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, priti sot në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident për Kosovën, z. Pat Kelly.

Zëvendësministri Ilazi, ka falënderuar ambasadorin Kelly, për përkrahjen e vazhdueshme që shteti i tij i ka ofruar Kosovës në shumë fusha e posaçërisht në rrugën e integrimit evropian.

Gjatë takimit, zëvendësministri Ilazi, e ka njoftuar z. Kelly, me zhvillimet lidhur me agjendën evropiane të Kosovës e sidomos për procesin e liberalizimit të vizave i cili ka arritur në momentet vendimtare.

“Tani jemi në pritje të realizohet vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos në Kosovë në mënyrë që të lëvizim përpara në këtë proces me rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendësministri Ilazi.

Po ashtu zëvendësministri i Integrimit Evropian, ka informuar ambasadorin irlandez mbi përgatitjet që po bëjnë institucionet e Kosovës për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të nënshkruar mes Kosovës dhe BE-së.

Në anën tjetër, ambasadori i Irlandës në Hungari, jorezident për Kosovën, z. Pat Kelly, ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Irlandës për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejtë integrimit evropian e sidomos në procesin e liberalizimit të vizave.

Last modified: 11 Gusht, 2022