Fjala e plotë e zëvendës kryeministrit Bislimi:
I nderuar Kryeministër,
Të nderuara Zëvendëskryeministre,
Të nderuar Ministra,
Më lejoni të prezantoj sot të arriturat në zbatimin e prioriteteve politike për integrim në Bashkimin Evropian – ERA II. Ky informim bazohet në raportin përfundimtar mbi të arriturat në zbatimin e këtyre prioriteteve të cilat i kemi zbatuar përmes Planit të Veprimit të ERA II (PV ERA II).
Ky raport mbulon tërë periudhën e zbatimit të këtyre reformave, pra nga mesi i vitit 2021 deri në fund të vitit 2023. Së bashku me Komisionin Evropian kemi vendosur që të përmbyllim ERA II, dhe të vazhdojmë me zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian dhe të reformave edhe si pjesë e Planit për Rritje. Prandaj, reformat e ERA II që janë në zbatim e sipër do të zbatohen përmes këtyre dy mekanizmave për integrim evropian.
Siç e dini, ERA II përmbante 15 prioritete, ndërsa plani i veprimit përmbante 341 aktivitete për zbatimin e këtyre prioriteteve.
Sipas raportit përfundimtar, janë zbatuar gjithsej 243 nga 341 aktivitetet e planifikuara (ose 71.26%).
Meqë ju kam informuar çdo tre muaj mbi zbatimin e ERA II dhe disa aktivitete të zbatuara i përmenda në ekspozenë për zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian, më lejoni të fokusohem në disa reforma kyçe të zbatuara në kuadër të ERA II.
Deri në fund të vitit 2023 Kuvendi ka miratuar 22 ligje që kemi paraparë në këtë dokument, e disa nga më të rëndësishmit janë:
• Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës;
• Ligji për Financimin e Subjekteve Politike;
• Kodi i Procedurës Penale;
• Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit;
• Ligji për Zyrtarët Publikë;
• Ligji për Pagat në Sektorin Publik;
• Ligji për valën e parë dhe ai për valën e dytë të racionalizimit të agjencive;
• Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe në Baza Gjinore;
• Ligji për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve;
• Ligji për Inspektimet e Përgjithshme;
• Ligji për Gjykatën Komerciale;
• Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës;
• Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja;
• Ligji për Mbeturinat;
• Ligji për Agjencinë e Akreditimit;
• Ligji për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme;
• Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse.
Përveç këtyre, Qeveria ka miratuar dhe përcjellë në Kuvend edhe 5 projektligje, që janë në pritje të miratimit nga Kuvendi, e që kanë të bëjnë me shtetësinë, Komisionin e Pavarur të Mediave; energjinë e ripërtëritshme, arsimin e lartë dhe liritë fetare.
Nga reformat e tjera të zbatuara, po përmendi vetëm disa reforma kyçe:
• Miratimi i Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit dhe zbatimi i saj;
• Miratimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër Dhunës në Familje;
• Miratimi i Planit Strategjik për Zgjidhjen Efikase të Rasteve të Korrupsionit dhe Krimit të organizuar;
• Miratimi i Strategjisë së re për Reformën e Administratës Publike dhe Planit të Veprimit për Zbatimin e saj;
• Miratimi i Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike 2022-2026 dhe planit të veprimit për zbatimin e saj;
• Miratimi i Strategjisë për Energji 2022-2031 dhe Programit për zbatimin e saj;
• Miratimi i Planit Strategjik të Agjencisë së Akreditimit;
• Funksionalizimi i Gjykatës Komerciale;
• Krijimi dhe zgjerimi i vazhdueshëm i portalit të shërbimeve publike e-Kosova;
• Themelimi i njësisë për informimin e bizneseve lidhur me standardet;
• Zvogëlimi i barrës administrative përmes thjeshtimit, bashkimit ose shfuqizimit të 8% të lejeve dhe licencave për operatorët ekonomikë;
• Realizimi i dy (2) projekteve të energjisë së erës, me kapacitet prej 68.94 MW;
• Zbatimi i masave për efiçiencën e energjisë në amvisëritë përmes projektit Reliable Energy Landscape (RELP) në 1,600 shtëpi dhe në 25 komplekse banesore;
• Mbështetja e punësimit, përmes përfitimit mesatarisht nga rreth 4,000 personave në vit nga masat aktive të tregut të punës, rritjes së ndërmjetësimit në punësim për të rinjtë dhe grupet e cenueshme për 2% çdo vit, mbështetjes për punonjësit e formalizuar, mbështetjes për punësimin e grave dhe personave me aftësi të kufizuara, dhe punësimit dhe trajnimeve për teknologji informative;
• Përmirësimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, përmes hartimit të 3 manualeve dje 35 listave kontrolluese për inspektorët e punës, trajnimit të inspektorëve të punës, identifikimit të kompanive në sektorë të ekspozuar ndaj rrezikut më të lartë, rritjes së numrit të përgjithshëm të inspektimeve nga 5,000 në 6,000 dhe inspektimeve të përbashkëta nga 435 në mbi 500 (gjatë vitit 2022 janë kryer 81 inspektime të përbashkëta me Policinë dhe ATK-në).
Siç e theksova tek raportimi për PKIE, tani jemi në fazën finale të përgatitjes së Programit Kombëtar për Integrim Evropian për periudhën 2024 – 2028, derisa disa reforma dhe masa nga ERA II janë bartur te ky program dhe do të zbatohen gjatë vitit 2024.
Në fund më lejoni të ju falënderoj për punën e bërë nga ministritë tuaja gjatë tre viteve të fundit në kuadër të këtyre prioriteteve politike.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj,
Last modified: 14 Shkurt, 2024