Prishtinë, 2 maj 2024
Përgjatë pjesës hyrëse të mbledhjes së gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mbajti fjalën vijuese të mbledhjes duke trajtuar pikën e parë të rendit të ditës, atë të Programit Kombëtar të Integrimit Evropian (PKIE).
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se “PKIE është dokument i yni strategjik që përfaqëson spektrin e gjerë të reformave që ne i ndërmarrim vit pas viti në realizimin e marrëveshjes sonë të përbashkët me BE-në, pra asaj të MSA-së. Këto reforma, para se të na ndihmojnë në avancimin tonë drejt integrimit në BE, na ndihmojnë edhe në arritjen dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi më të lartë të jetesës dhe mbulojnë kështu të gjitha fushat dhe sektorët që mbulon puna e Qeverisë.
Ai shtoi se për këtë vit janë planifikuar 307 masa afatshkurtra, nga të cilat 38 sosh janë projektligje, 3 marrëveshje ndërkombëtare, 65 akte nënligjore, dhe 201 masa zbatuese.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
Faleminderit shumë Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Të nderuar udhëheqës dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës,
Të nderuar zyrtarë të ministrive dhe pjesëtarë të kabineteve politike,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Më lejoni t’iu falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, dhe në veçanti të falënderoj secilin prej jush për punën tuaj e të institucioneve tuaja në kuadër të zbatimit të dy dokumenteve për integrim evropian që do të diskutojmë sot, pra Programi Kombëtar për Integrim Evropian si dhe Agjenda e Reformave për Planin e Rritjes së BE.
PKIE për periudhën 2024-2028 është miratuar në Qeveri më 2 prill të këtij viti dhe jemi në pritje të miratimit të tij nga ana e Kuvendit.
Meqë raportimin e parë për zbatimin e këtij programi do ta bëjmë në fund të Qershorit, është me rëndësi që sot të diskutojmë bashkarisht për ecurinë e zbatimit të reformave kryesore dhe sfidat të cilat pritet të adresohen bashkarisht në mënyrë që të sigurojmë zbatimin e tyre të plotë dhe në kohë.
PKIE është dokument i yni strategjik që përfaqëson spektrin e gjerë të reformave që ne i ndërmarrim vit pas viti në realizimin e marrëveshjes sonë të përbashkët me BE-në, pra asaj të MSA-së. Këto reforma, para se të na ndihmojnë në avancimin tonë drejt integrimit në BE, na ndihmojnë edhe në arritjen dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendit drejt një standardi më të lartë të jetesës dhe mbulojnë kështu të gjitha fushat dhe sektorët që mbulon puna e Qeverisë.
Për këtë vit kemi planifikuar shumë masa e projektligje, më saktë: 307 masa afatshkurtra, nga të cilat 38 sosh janë projektligje, 3 marrëveshje ndërkombëtare, 65 akte nënligjore, dhe 201 masa zbatuese. Deri në raportimin e Qershorit pritet që 59 prej këtyre masave të jenë zbatuar.
Më tej, po i theksoj vetëm disa nga masat të cilat janë tejet të rëndësishme e që pritet të realizohen gjatë këtij viti:
- Projektligji për prokurimin publik;
- Projektligji për ndihmën shtetërore;
- Projektligji për bankat;
- Plani Strategjik i Doganës së Kosovës 2024-2027;
- Pilotimi i Planit për Zbatimin e Skemës së Garantuar për të Rinj;
- Pilotimi i Skemës së Asistencës Sociale të zbatuar sipas Ligjit të ri për këtë skemë
- Strategjia kundër narkotikëve;
- Funksionalizimi i së paku 50 shërbimeve të reja në platformën e-Kosova.
- Katalogu i vendeve të punës në Shërbimin Civil.
- Projektligjet për transportin rrugor; automjete; patentë shofer, dhe hekurudha
- Projektligji për menaxhimin e resurseve ujore;
- Projektligjet për mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës
- PV Strategjisë së Sistemit Inteligjent të Transportit;
- Strategjia dhe Plani i Veprimit për menaxhimin e integruar të mbeturinave
- 13 zyrtarë të rinj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit
- Themelimi i Agjencisë për Inovacion dhe Mbështetjen e Bizneseve;
- Lansimi i ueb-faqes për Pikën e Vetme të Kontaktit për Shërbime;
- Projektligji për veprimtari kërkimore shkencore, inovacion dhe transfer të dijes dhe teknologjisë;
- Projektligji për plotësim-ndryshim të ligjit për përgjegjësitë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve;
- Projektligji për Gjykatën Administrative;
- Projektligjet për tokën bujqësore; veterinarinë; dhe agroturizmin.
- Projektligjet për energji; energjinë elektrike, rregullatorin e energjisë, dhe efiçiencën e energjisë
- Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë 2024-2030;
- Masat e efiçiencës së energjisë në 8 objekte shkollore dhe 12 objekte publike.
- Strategjia për komunikimin e sistemit prokurorial;
- Strategjia për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës 2024-2029;
- PV i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore (PKBGJ-së) 2024-2026;
- PV 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komunitetit Rom dhe atij Ashkali në Republikën e Kosovës 2022-2026.
Krejt në fund, më lejoni të theksoj që duke qenë se projektligjet janë masa më të vështira për t’u zbatuar sepse kërkojnë më shumë kohë edhe procedura, ju rekomandoj që të filloni menjëherë me hartimin e tyre në qoftë se veç nuk keni filluar ende.
Ju faleminderit edhe njëherë dhe ju ftoj që të diskutojmë për planin kombëtar të integrimit evropian dhe masat në kuadër të tij.
Last modified: 2 Maj, 2024