Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Delegacioni i Kosovës takohet me Komisionin Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

24 Nëntor, 2023

Bruksel, 24 nëntor 2023

Sot u mbajt takimi i parë në Bruksel në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që kap shifrën prej 6 miliardë eurove në formë të granteve dhe kredive për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore: rritjen e integrimit ekonomik me Tregun e Bashkimit Evropian, rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Tregut të Përbashkët Rajonal, përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e ndihmës financiare.

Sot në takim me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me delegacionin, diskutuan rreth reformave që Qeveria do t’i ndërmarrë në kuadër të agjendës së saj të reformave, e cila do të shërbejë si parakusht për përfitimin e fondeve nga plani i rritjes.

Këto reforma do të jenë pjesë e disa shtyllave prioritare duke përfshirë: administratën publike, zhvillimin e sektorit privat dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër, kapitalin njerëzor dhe sundimin e ligjit.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përmbushjen e këtyre reformave, me qëllim të përfitimit maksimal nga ky plan.

Delegacioni i Kosovës përbëhej dhe nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Last modified: 11 Dhjetor, 2023

Comments are closed.