Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Dita e Evropës

10 Maj, 2024

Prishtinë, 9 Maj 2024

Sot shënohet një ditë e rëndësishme në kontinentin tonë, 9 maji, Dita e Evropës. Kjo ditë kujton deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për herë të parë për idenë e Evropës. Evropën e cila nuk do ishte më një kontinent i shkatërruar nga luftërat dhe rivalitetet, por një projekt politik i paqes, prosperitetit dhe lirisë.

Më poshtë dhe shënimi i kësaj dite nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

“74 vite më parë, u vendosën gurthemelet e unionit evropian, përmes deklaratës së Ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, arkitektit të projektit të integrimit evropian, në Salon de l’Horloge të Quai d’Orsay në Paris.

Ajo që ne e njohim sot si Dita e Evropës, është më shumë se një ditë feste, por edhe përkujtimi për vlerat e avokuara që në vitet e ’50-ta, e që çuan më tej drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Uniteti, solidariteti e bashkëpunimi, rezonojnë ende sot si parime unike e të patjetërsueshme, për ruajtjen e demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, të drejtave të njeriut e sundimit të ligjit në kontinentin tonë.

E gjersa Evropa sot po kërcënohet nga politikat ekspansioniste e ideologjitë ekstremiste, ruajtja e unitetit bëhet më e rëndësishme se asnjëherë më parë. Vetëm një Evropë e bashkuar mund të bëhet mburojë ndaj agresioneve ushtarake e tentimeve destabilizuese që cenojnë paqen dhe rrezikojnë lirinë.

Republika e Kosovës jo vetëm që i bashkohet thirrjeve dhe misionit të mbrojtjes së demokracisë anekënd Evropës, por edhe në vazhdimësi dëshmon vullnetin e gatishmërinë për të kontribuar në këtë drejtim, si në përafrimin e politikës së jashtme të vendit me atë të Bashkimit Evropian, por edhe në mbështetjen e të gjitha masave të vendosura ndaj agresionit të pajustifikuar rus ndaj Ukrainës.

Por që të kontribojmë e të bëjmë edhe më shumë, duhet të jemi pjesë e familjes evropiane e rrugëtimi ynë të vlerësohet në baza meritokracie. Teksa edhe zgjerimi është rikthyer në vëmendje e agjendën e BE-së pas shumë vitesh, vendi ynë ka aplikuar dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Avancimi i vendit tonë në rrugën drejt BE-së, do ishte sinjal pozitiv për vendin dhe për vlerat demokratike.

Dita e Evropës ngërthen në vetvete premtimin se vetëm bashkë jemi më të fuqishëm. Në një Evropë të bashkuar, në një Evropë që ruan e kultivon lirinë e demokracinë, paqen e sigurinë.

Urime 9 Maji – Dita e Evropës!”

Ndërsa nga ana e tij, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi u shpreh se “74 vite kanë kaluar që nga Deklarata e Schuman-it për një Evropë të bashkuar që vendosi dhe themelet e Bashkimit Evropian. Në Ditën e Evropës, ne nënvizojmë rëndësinë e projektit evropian, si dhe principet udhërrëfyese të unitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit.”

 

Last modified: 10 Maj, 2024

Comments are closed.