Në fillim të vizitës së tij zyrtare në Holandë, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka marrë pjesë në një bashkëbisedim në Parlamentin e Holandës me deputetët e Komisionit për Çështje Evropiane.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi falënderoi shtetin e Holandës për përkrahjen e vazhdueshme të shfaqur ndaj Kosovës në të gjitha fushat. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, falënderoi Parlamentin, veçanërisht deputeten Kati Piri për mbështetjen e saj në këtë proces dhe iniciativat e ndërmarra për mbështetjen e Holandës ndaj Kosovës në këtë proces.
Kosova dhe Holanda po forcojnë marrëdhëniet e tyre dhe thellojnë bashkëpunimin ekonomik e tregtar i cili po njeh trend pozitiv e rritje konstante e të qëndrueshme.
Në lidhje me procesin e integrimit evropian Kosova ka shfaqur qasje serioze në zbatimin e reformave dhe një programi ambicioz në agjendën evropiane. Ka qenë e rëndësishme për Kosovën që të dëshmojë se vendi ynë mund të ecë me një ritëm të përshpejtuar. Progresi i dy viteve të fundit ka qenë më i madhi historikisht për vendin, konfirmuar kjo dhe nga raporti për vendin i Komisionit Evropian. Po ashtu, trajektorja jonë e zhvillimit dëshmohet dhe nga indikatorët e matjet ndërkombëtare. Kosova ka shfaqur maturi në menaxhimin e politikave fiskale gjatë pandemisë dhe krizës energjetike dhe potencialit për rritje e zhvillim.
Progresi ynë tregon se Kosova është gati të bëjë hapa të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. Që 7 vite vendi ynë që po zbaton Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, tregues ky që jemi më të gatshëm sesa vendet e rajonit krahasuar momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat. I pyetur mes tjerash nga deputetët prezent edhe mbi mbështetjen e qytetarëve të Kosovës ndaj procesit të integrimit evropian, zëvendëskryeministri Bislimi tha se përtej faktit që vendi ynë është ende i vetmi në rajon i cili nuk e ka statusin e vendit kandidat, mbështetja e qytetarëve është tejet e madhe, rreth 94% në matjet e fundit të regjistruara. Kjo përqindje tregon frymën evropiane të qytetarëve tanë e cila përkthehet dhe në vizion e ambicie të qartë Euro-Atlantike. Në lidhje me procesin e dialogut, theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive, aktive e me plot ide në proces, e angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazike e cila duhet të zbatohet në plotni dhe përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të balancuar e të barabartë.
Në përfundim të bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi potencoi mesazhin se Holanda është vend mik i yni, ku vlerësojmë partneritetin e tyre dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativa të përbashkëta për të forcuar veçanërisht marrëdhëniet tona ekonomike.
Në këtë takim zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Holandë, Dren Doli.
Last modified: 11 Shtator, 2023