PRISHTINË, 7 mars 2023– 45 bursa të reja u ndanë sot në Prishtinë nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria e Kosovës për studime master në BE për nëpunës civilë aktualë dhe të ardhshëm nga Kosova.
Ky është raundi i 13-të i bursave të dhëna në kuadër të programit të përbashkët Young Cell Scheme (YCS), synimi i të cilit është përmirësimi i punës së administratës publike dhe shërbimeve që ajo ofron për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
“Arsimi është me rëndësi kyçe për avancimin e zhvillimit të Kosovës në të gjitha sferat e jetës, përfshirë rrugën e saj të integrimit në BE. Jam i lumtur të shoh që numri i të rinjve që përfitojnë nga programi ynë i bursave Master po rritet vit pas viti dhe se duke punuar si nëpunës civilë po sjellin ndryshim pozitiv në mënyrën se si funksionon administrata publike e Kosovës”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e një administrate publike më profesionale, transparente dhe llogaridhënëse, si përmes këtij programi të bursave, ashtu edhe përmes ndihmës së vazhdueshme për reformën e administratës publike”.
Mbështetja e BE-së për arsimimin e nëpunësve civilë në nivel master në Kosovë ka filluar në vitin 2004. Që atëherë, në 12 raundet e mëparshme të bursave, 364 nëpunës civilë janë arsimuar në fushat që janë konsideruar më të nevojshmet nga qeveria.
Kontributi i përgjithshëm i BE-së në programin Young Cell Sceme do të arrijë në 15.3 milionë euro duke përfshirë raundin e 13-të, të 14-të dhe të 15-të të bursave që do të përfundojnë deri në vitin 2026. Prej tij duhet të përfitojnë gjithsej 470 të reja e të rinj.
Qeveria e Kosovës filloi bashkëfinancimin e programit në vitin 2011 dhe po mbështet raundet 12 deri në 15 me 2.5 milionë euro.
“Qeveria e Kosovës e ka kuptuar detyrën e saj për të investuar në profesionalizimin e administratës sonë publike dhe ofrimin e mjeteve të nevojshme që ato të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë efektive”, tha zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bardhyl Dobra.
“Ky program është i rëndësishëm në kuptimin që ndikimi i tij ndikon në shumë aspekte të zhvillimit personal dhe social. Një administratë publike profesionale promovon transparencën dhe llogaridhënien në qeveri. Siguron që politikat dhe programet janë në përputhje me nevojat e qytetarëve”.
Programi i BE-së për Bursa për Studime Master i obligon përfituesit e tij që të punojnë në një nga institucionet e Kosovës për të paktën tre vjet pas diplomimit. Tri raundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga Universiteti Aristoteles i Selanikut në Greqi dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik në Francë, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.
Last modified: 7 Mars, 2023