Prishtinë, 16 dhjetor 2022
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti sot në takim ministrin për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar, Leo Docherty, i cili po qëndron në Kosovë në një vizitë zyrtare.
Ministri Docherty shprehu interesimin e tij rreth situatës në lidhje me sektorin e energjisë, si dhe perspektivën e Kosovës në kuadër të zhvillimit ekonomik.
Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty mbi situatën e krijuar në Kosovë nga kriza energjetike që ka kapluar Evropën, si pasojë e efekteve të shkaktuara nga agresioni rus ndaj Ukrainës. Qeveria po merr masa të menjëhershme si afatmesme e afatgjata për të lehtësuar efektet e kësaj krize dhe impaktit drejt qytetarëve. Rehabilitimi i termocentraleve, të cilat aktualisht janë në gjendje të dëmtuar, si dhe shtimi i kapaciteteve në energji të ripërtëritshme, për të krijuar qëndrueshmëri në të ardhmen në këtë sektor, janë vetëm disa nga hapat e ndërmarra.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se sot gjithashtu është miratuar Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, në mbledhjen e 113-të të Qeverisë.
Ministri Docherty ofroi ndihmën e Britanisë, në mbështetje të sektorit të energjisë dhe arritjes së qëllimeve veçanërisht në energjinë e ripërtëritshme. Sa i përket zhvillimit ekonomik, zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Docherty rreth resurseve dhe potencialeve që vendi ynë ofron, sidomos për investitorët e huaj në sektorin e IT-së e cila po njeh hov mjaft të madh dhe ka hapësirë të ketë zhvillim të përshpejtuar.
Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi veçoi dhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dje në Pragë, të arriturat e qeverisë, reformat e deritanishme dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë të vendit. Në takim, u diskutua dhe rreth zhvillimeve në procesin e dialogut.
Ministri Docherty u shoqërua nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe udhëheqësja e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Madeline Knox.
Last modified: 19 Dhjetor, 2022