Prishtinë, 10 nëntor 2023
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sot ishte pjesë e panelit në takimin e rregullt konsultativ vjetor të nivelit të lartë, të gjashtin me radhë, me akterë institucional, ekspertë dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), ky takim këtë vit u fokusua në angazhimin e Kosovës drejt procesit të Integrimit Evropian nga perspektiva gjinore.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:
E nderuara kryetare Krasniqi,
E nderuara deputete Fejza,
E nderuara znj. Rashitaj,
I nderuari z. Hoxha,
E nderuara ambasadore Barisic,
Të nderuar panelistë,
Edhe për mua është nder i veçantë që më keni ofruar mundësinë që të jem pjesë e këtij paneli ku diskutojmë për angazhimin e Kosovës drejt integrimit evropian, nga perspektiva gjinore. Titulli për mua nënkupton së pari që trajtimi i drejtë i perspektivës gjinore është parakusht për integrim të suksesshëm evropian, dhe e dyta nënkupton që vendosja si prioritet e perspektivës gjinore na sjellë benefite shtesë në kuadër të integrimit evropian dhe e treta që është dhe më e rëndësishmja perspektiva gjinore nuk është trajtuar sa duhet e rrjedhimisht shihet si problem. Kemi nevojë ta adresojmë perspektivën gjinore edhe në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian. Unë mendoj që një problem mund të zgjidhet nëse janë të plotësuara katër parakushte:
E para, ne mund ta zgjidhim vetëm një problem që ekziston. Fakti që ne po e trajtojmë perspektivën gjinore drejt integrimit evropian, nënkupton që ne kemi një problem serioz me pabarazinë gjinore apo me mos kushtimin e mjaftueshëm të vëmendjes të aspektit gjinor në ndërtimin e politikave tona. E dyta, mendoj që është parakusht vetëdijesimi i jonë për ekzistimin e këtij problemi. Por kjo nuk mjafton nëse nuk e kemi gatishmërinë që të njëjtën ta adresojmë. Dhe e katërta nuk e kemi aftësinë për me i caktu burimet financiare dhe humane që të merren me ndërtimin e politikave dhe implementimin e të njëjtave në mënyrë që ky hendek në pabarazi nëse nuk mund të eliminohet, të paktën të reduktohet në përmasa të pranueshme për shoqërinë.
Unë besoj se problemi i pabarazisë me të cilën ne ballafaqohemi, as nuk është problem vullnetar e as nuk është ekzogjen. Nuk është problem i importuar e nuk është diçka që njëra prej gjinisë e ka zgjedhur vullnetarisht. Në këtë kontekst, mendoj se nuk e kemi një sinjal të fuqishëm që ne e kemi gatishmërinë me u ballafaqu me këtë problem, kur mbi 90% e pjesëmarrësve këtu janë gra, për arsye se krijohet përshtypja që është problem vullnetar dhe ne po mblidhemi me pa se si do ta ndryshojmë qasjen tonë, në mënyrë që ne të dalim nga ky kurth ku jemi vendos.
Mendoj që gratë janë më së paku përgjegjës për situatën ku ndodhemi, andaj edhe kompozimi i panelit ndoshta është dashur të shihet edhe në kompozim të pjesëmarrësve në debat, për me pa që nëse jo problem parësor i gjinisë mashkullore, tash është problem i përbashkët i shoqërisë sonë dhe të cilën mundemi me adresu vetëm bashkërisht.
Eliminimi i pabarazisë në Kosovë, duhet me u arrit në disa faza, ku faza fillestare dhe më e rëndësishme është fuqizimi i gruas brenda familjes. Unë mendoj që aty fillon pabarazia, e cila pastaj fillohet si normë e të shihet si diçka e pranueshme edhe për shoqërinë. Ne në vitet e fundit e kemi pa si prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes. Është ligji për ndihmë juridike falas, disa strategji për pamundësimin e dhunës në familje, adresimin e dhunës në familje, janë alokimet shtesë buxhetore për adresimin e dhunës në familje e përkujdesjen për anëtarë të familjes që janë nënshtruar dhunës në familje, pra ka disa masa përmes të cilave jemi mundu përmes strategjive e vendimeve tona me fuqizu gruan brenda familjes. Në të njëjtën kohë, dhe me intervenimet financiare, siç janë shtesat për fëmijë që paguhen në llogarinë bankare të nënës, shtesat për lehoni që paguhen edhe për gratë të cilat nuk kanë mundur të kyçen në tregun e punës, këto tregojnë që ne e kemi pa bukur shumë si prioritet fuqizimin e gruas brenda familjes.
Hapi i dytë që e shoh shumë të rëndësishëm është fuqizimi i gruas në jetën ekonomike. Edhe këtu pastaj ka disa dimensione të cilat duhen trajtuar krejtësisht ndryshe prej njëri tjetrit. Për shembull fuqizimi i gruas mund të bëhet fillimisht përmes rritjes së pjesëmarrjes së gruas në jetën ekonomike në mënyrë që sa më shumë prej grave të arrijnë pavarësimin ekonomik ose të arrijnë të kontribuojnë në gjenerimin e të hyrave shtesë për amvisëritë familjare. Kjo mund të bëhet në mënyrë direkte përmes politikave të punësimit apo masave aktive të punësimit, por edhe në mënyrë indirekte.
Si shembull, edhe ndërtimi i çerdhes ka efekt direkt dhe indirekt. Direkt për arsye se pothuajse 100% e të punësuarve nëpër çerdhe janë gra, por ka edhe efekt indirekt sepse çdo familje që dërgon fëmijët e tyre në çerdhe, ka hapësirë shtesë kohore për me dal me u kyç në tregun e punës drejtpërdrejtë, ose për me ndjek trajnime apo kualifikime profesionale që ia rrisin aftësinë për me gjet një vend të punës. Pastaj, përveç ndërtimit të çerdheve, një kontribut shtesë në shoqëri mundet me dhanë nëse të gjitha çerdhet lirohen nga obligimi për pagimin e tatimit në vlerë të shtuar, për arsye se kjo e bën më atraktive edhe dërgimin e fëmijëve në çerdhe, edhe punësimin e grave shtesë në këtë sektor.
Ndërkaq, përmes masave aktive të punësimit, munden me u ataku ato kategori të cilat janë më shumë të përballura me këtë problem, e mendoj që me masat e qeverisë në dy vitet e fundit, kemi ndiku jashtëzakonisht shumë që ky hendek të zvogëlohet. Ne kemi ofruar bursa shtesë kryesisht për vajza, e me prioritet për ato nga zonat rurale në mënyrë që aftësia e tyre për gjetjen e punës të rritet në mënyrë enorme, por kemi ofruar dhe mbështetje për çdo punësim që i ofrohet grave.
Fuqizim shtesë kemi bërë dhe tek ana tjetër, përmes fuqizimit të gruas në vendimmarrje ekonomike, përmes masave që targetojnë, qoftë në bujqësi, start-up, aktivitete ekzistuese ekonomike, për biznese që janë në pronësi të grave. Mbështetja ka qenë direkte përmes granteve, indirekte përmes subvencionimit të kamatave, ofrimit të lehtësirave shtesë në secilin rast kur pronari është grua, edhe përmes masave që e fuqizojnë pastaj gruan në biznes, duke rrit edhe aksesin në pronë. Raporti i progresit deklaron që vetëm brenda vitit 2022, është katërfishuar numri i pronave që është transferuar brenda vitit tek gratë. Nga dikund 1500 në afërsisht 7000 prona janë transferuar vetëm brenda vitit 2022 tek gratë. Brenda mundësive, unë mendoj që asnjëherë nuk kemi bërë pak, po për aq kohë sa ne takohemi për të diskutuar për zgjidhjen e problemit të pabarazisë, i bie që nuk kemi bërë mjaftueshëm që ky problem të hiqet nga rendi ditës.
Një element tjetër, ku ne mendoj që duhet të bëjmë shumë është edhe fuqizimi në vendimmarrje, kjo bëhet përmes promovimit të politikave por edhe trajnimeve që fuqizojnë rritjen e gruas brenda le të themi tregut të brendshëm të punës brenda ndërmarrjeve publike, por edhe përbrenda administratës publike drejt pozitave vendimmarrëse.
Por kjo bëhet në mënyrë indirekte edhe përmes luftimit të stereotipeve, për shembull kam parë një studim që e ka bërë Instituti Ri-Invest, ku thuhet që diku 50% e grave, kanë pak ose nuk kanë interes për me u promovu në vendet e punës.
Por në qoftë se hyjmë të shohim arsyet pse ato nuk kanë interes, sepse një pjesë e tyre besojnë se gjasat që ato mund të promovohen janë më të vogla, kësaj i duhet kohë për t’u adresuar, për të ndryshuar edhe stereotipet, qoftë në punësim, qoftë në iniciativat për t’u ngritur në karrierë, por edhe qoftë në vendimmarrjen për zgjedhjen e profesioneve në karrierë. Bursat që ne i ofrojmë për kategorinë STEM, e kanë kryesisht këtë qëllim, me i thy ato stereotipet që këto profesione nuk janë për gra.
Një aktivitet tjetër, ku ne mendoj që duhet të angazhohemi në luftimin e pabarazisë, e ky problem, siç e ceku edhe kryetarja që problemet e pabarazisë nuk janë vetëm një problem që haset në vendet e pazhvilluara mirëpo ka edhe brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ne dje diskutuam edhe për disa protesta që janë zhvilluar në Islandë për me adresu këtë problem, është hendeku në paga.
Mendoj që Kosova këtu qëndron pak më keq se vendet tjera dhe duhet parë se në çfarë mase ne mund të ndërtojmë politika që e adresojnë hendekun në paga që ekziston në baza gjinore.
Edhe pjesa e fundit që mendoj e adresoi shumë mirë deputetja Fejza, ka të bëjë me rritjen e mundësive, rritjen e participimit të grave në jetën politike, në vendimmarrjen politike, mendoj që këtu kemi ecur bukur mirë. Në qoftë se sheh përqindjen e grave në jetën politike në Kosovë, po flas kryesisht për nivelin qendror se mendoj në nivelin lokal nuk jemi mirë, po në nivelin qendror ia tejkalojmë edhe disa vendeve brenda Bashkimit Evropian. E këtu mendoj se edhe Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë kontribut të mjaftueshëm edhe përmes jetës politike në Kuvend, por edhe në qeverisje. Për shembull, në Kuvend unë kalkulova sot që nga 17 pozita drejtuese, kryetari i Kuvendit, nënkryetari i Kuvendit, kryetari i Grupit Parlamentar, kryetarët e komisioneve, nënkryetarët e komisioneve, nga 17 pozita drejtuese, në Lëvizjen Vetëvendosje 9 i kanë gratë, edhe pse vetëm 38 për qind e pozicioneve të deputetëve i kanë gratë e Lëvizjes Vetëvendosje, por në pozita udhëheqëse i kanë diku 56 për qind të pozitave. Kjo tregon që ne jemi duke dhënë kontributin tonë që këto probleme të bëhen sa më të dorës së dytë, domethënë të dalin në pah.
Por, edhe në qeveri, në qoftë se e shihni Qeverinë e Republikës së Kosovës, ne i kemi dy zëvendëskryeministre gra, një burrë, ndërkaq resurset kryesore të shtetit ekonomia, tregtia, industria, arsimi, në një kohë edhe shëndetësia, politika e jashtme, drejtësia, udhëhiqen nga gratë dhe mendoj që mund të them me krenari që janë duke bërë një punë jashtëzakonisht të shkëlqyeshme. Por, edhe prapa punës që ne e bëjmë e ministra të tjerë, punën kryesore e bëjnë shefat e kabineteve, që ne shumicën i kemi gra, që janë faktikisht ministra të vërtetë brenda kabineteve tona.
Faleminderit shumë edhe njëherë për mundësinë.
Last modified: 8 Dhjetor, 2023