Pyetje të Shpeshta
Pyetjet e bëra më shpesh (FAQ) mbi udhëtimin pa viza Shengen për qytetarët me pasaportë të Kosovës
- Kur do të mund të udhëtoj pa vizë?
Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa vizë në zonën Shengen që nga 1 janari 2024.
- Për cilat qëllime mund të udhëtoj pa vizë në zonën Shengen?
Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turist por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.
- Në cilat vende mund të udhëtoj pa vizë?
Shtetet Anëtare të BE-së të mbuluara nga heqja e vizave janë:
- Shtetet Anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen: Për më shumë rreth zonës Shengen dhe listën e shteteve vizitoni: https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/schengen-borders-and-visa/schengen-area_en
- b) Shtetet Anëtare të BE-së që nuk janë ende pjesë e zonës Shengen, por zbatojnë acquis të BE-së në lidhje me listat e vizave të BE-së: Bullgaria, Qiproja dhe Rumania
- c) Heqja e vizave vlen edhe për shtetet e lidhura të Shengenit: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
- A mund të udhëtoj pa vizë në Irlandë?
Jo. Edhe pse është pjesë e BE-së, Irlanda nuk është pjesë e Zonës Shengen. Ata aplikojnë një regjim tjetër të vizave: për më shumë detaje, shihni faqen përkatëse të Ambasadës/Konsullatës.
- A mund të udhëtoj pa vizë drejt Mbretërisë së Bashkuar?
Jo. Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e BE-së. Ata aplikojnë një regjim tjetër të vizave: për më shumë detaje, shihni faqen përkatëse të Ambasadës/Konsullatës.
- Sa kohë mund të qëndroj pa vizë në zonën Shengen?
Ju mund të qëndroni 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të kalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore.
Gjatë zbatimit të këtij rregulli, duhet të merren parasysh aspektet e mëposhtme:
- Data e hyrjes konsiderohet si dita e parë e qëndrimit në territorin Shengen;
- Data e daljes konsiderohet si dita e fundit e qëndrimit në territorin Shengen;
Periudha e referencës 180-ditore nuk është fikse. Është një dritare lëvizëse, e bazuar në qasjen e shikimit në çdo ditë të qëndrimit (qoftë në momentin e hyrjes ose në ditën e një kontrolli aktual, si kontrolli i policisë në brendësi ose kontrolli kufitar pas nisjes). Mungesa, mos udhëtimi drejt zonës Shengen për një periudhë të pandërprerë prej 90 ditësh, lejon një qëndrim të ri deri në 90 ditë në një periudhë 180-ditore.
- A mund të hyj në zonën Shengen më shumë se një herë gjatë asaj periudhe?
Po. Sidoqoftë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit tuaj si periudhën e përgjithshme të qëndrimit, e cila nuk duhet të kalojë totalin e përgjithshëm prej 90 ditësh të qëndrimit brenda çdo periudhe 180-ditore.
Pra, periudha 90 ditë fillon që nga momenti kur ju hyni për herë të parë në zonën Shengen. Për shembull, nëse më datë 1 janar 2024 ju hyni për herë të parë në zonën Shengen , periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon pas 180 ditësh ose më saktë me 29 qershor 2024. Pra, brenda këtyre 180 ditëve ju mund të qëndroni në zonën Shengen vetëm deri në 90 ditë. Nëse udhëtoni shpesh në zonën Shengen , duhet të numëroni ditët e mbetura nga periudha e fundit gjashtë mujore.
- Cilat dokumente udhëtimi nevojiten për të shfrytëzuar udhëtimin pa viza në zonën Shengen?
√ Pasaportë biometrike (e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së largimit nga zona Shengen);
√ Dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit në zonën Shengen;
√ Dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit apo detajet e vendit ku do të qëndroni;
√ Detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimin e biletës kthyese;
√ Nëse udhëtohet me veturë, dokumentet e nevojshme të veturës;
√ Dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare.
- A nënkupton liberalizimi punësim në shtetet e zonës Shengen?
Jo! Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi në shtetet e zonës Shengen.
- A kam nevojë për vizë për të punuar në zonën Shengen për më pak se 90 ditë?
Po, shtetet anëtare kërkojnë vizë dhe leje pune nëse keni ndërmend të punoni atje, edhe nëse është për më pak se 90 ditë. Ju lutem kontaktoni Ambasadën/Konsullatën e Shtetit Anëtar ku synoni të punoni për të pyetur nëse nevojitet një lloj i veçantë vize dhe leje pune, zakonisht lloji i vizës D. Liberalizimi I vizave nuk ju mundëson dhe jep leje punë, por vetëm vizita të shkurta turistike dhe familjarëve.
- A do të më duhet të aplikoj për vizë studentore nëse planifikoj të udhëtoj në zonën Shengen për studime?
Po, ju duhet të aplikoni për një vizë studentore në rast se keni ndërmend të kryeni studime që i kalojnë 90 ditë qëndrimi në zonën Shengen brenda një periudhe prej 180 ditësh. Për studime duhet të aplikoni për një vizë studimore derisa dokumentet e nevojshme dhe rregullat ndryshojnë nga vendi në vend. Prandaj rekomandohet që të konsultoheni me ambasadën ose konsullatën e vendit në të cilin planifikoni të filloni studimet.
- A mund të udhëtoj për arsye shëndetësore?
Kur arsyetohet juve ju mundësohet udhëtimi në zonën Shengen për trajtime shëndetësore. Ky udhëtim duhet të jetë brenda periudhës maksimale prej 90 ditëve. Varësisht nga shteti që vizitohet juve mund t’ju kërkohen dokumente të ndryshme si pjesë e verifikimit të kushteve për qëndrimin tuaj. Për shembull, juve mund t’ju kërkohet dëshmi nga institucioni shëndetësor pritës si dëshmi për trajtimin shëndetësor të planifikuar apo ftesa për analizat mjekësore. Gjithnjë të keni kujdes që trajtimi shëndetësor duhet të përfundoj brenda periudhës 90 ditore. Nëse trajtimi do të zgjas më shumë se 90 ditë, atëherë duhet të siguroni vizën përkatëse përmes ambasadës përgjegjëse.
- A ju jep heqja e vizave të drejtën automatike për të hyrë në territorin e shteteve të Shengenit?
Heqja e vizave nuk jep një të drejtë të pakushtëzuar hyrjeje dhe qëndrimi. Shtetet Anëtare kanë të drejtën për të refuzuar hyrjen dhe qëndrimin në territoret e tyre nëse një ose më shumë nga kushtet e hyrjes nuk plotësohen.
Për qëndrimet jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore, kushtet e hyrjes janë si më poshtë:
- Nuk ka pasaportë me vlefshmëri të mjaftueshme (minimumi 3 muaj pas periudhës së planifikuar të kthimit nga zona Shengen);;
- Paraqet dokumente të falsifikuara; justifikimin e qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të synuar, duke pasur mjete të mjaftueshme financiare, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të synuar ashtu edhe për kthimin;
- Në të kaluarën, Ka tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore;
(c) të mos jetë një person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes;
(d) të mos konsiderohet si një kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjë prej Shteteve Anëtare, veçanërisht kur nuk ka pasur asnjë alarm të lëshuar në bazat kombëtare të të dhënave të Shteteve Anëtare për qëllime të refuzimit të hyrjes në të bazat.
(e) Kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë.
- A e kam të garantuar hyrjen në Shengen pa vizë?
Hyrja pa vizë në Bashkimin Evropian nuk është e garantuar. Hyrja mund te refuzohet nga policia kufitare në rast se nuk keni pasaportë valide me afat të mjaftueshëm, nuk keni dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin e planifikuar në zonën Shengen, apo në të kaluarën keni tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore.
- Çfarë dokumentesh duhet t’i tregoj zyrtarit/oficerit kontrollues në kufi?
Ju duhet të tregoni pasaportën tuaj që është lëshuar brenda 10 viteve të mëparshme dhe është e vlefshme për të paktën 3 muaj të tjerë pas datës së synuar të nisjes nga territori i Shtetit Anëtar. Përveç kësaj, gjatë kontrollit kufitar mund t’iu kërkohet të tregoni gjithashtu dokumente që vërtetojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit tuaj (letër ftese nga miku juaj, ftesë për një konferencë, agjendë e një seminari, etj.). Udhëtarët duhet të kenë informacion për qëllimin e tyre të vizitës, vendin e akomodimit dhe rezervimin, biletat e kthimit, dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin (para të gatshme dhe/ose kartë krediti). Rekomandohet të keni një sigurim udhëtimi. Nëse keni ndërmend të qëndroni me të afërmit ose miqtë tuaj të familjes, duhet të keni adresën e saktë dhe numrat e tyre të telefonit.
- Sa para duhet të kem me vete për të udhëtuar në zonën Shengen?
Sipas nenit 5(3) të Kodit Kufitar të Shengenit: “Mjetet e jetesës do të vlerësohen në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit dhe duke iu referuar çmimeve mesatare në Shtetet Anëtare të interesuara për akomodimin, shumëzuar me numrin e ditëve të qëndrimit.”
Për çdo informatë më të fundit, çdo Shtet Anëtar përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të Shteteve Anëtare përkatëse nëpërmjet të cilave ju synoni të hyni në Shengen.
Verifikimi që shtetasi i vendit të tretë në fjalë ka mjete të mjaftueshme jetese për kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit të synuar, për kthimin e tij/saj në vendin e origjinës ose tranzitin në një vend të tretë ose që ai/ajo mund t’i marrë këto mjete në mënyrë të ligjshme. Për të vlerësuar mjetet e jetesës, duhet të merren parasysh shumat e referencës të përcaktuara nga çdo shtet i zonës Shengen.
Verifikimi i mjeteve të mjaftueshme të jetesës mund të bazohet në para të gatshme, çek udhëtarësh dhe karta krediti në zotërimin e shtetasit të vendit të tretë. Deklaratat e sponsorizimeve, kur deklarata të tilla parashikohen nga legjislacioni kombëtar dhe letrat e garancisë/ftesave nga pritësit, siç përcaktohet nga legjislacioni kombëtar, në rast se shtetasi i vendit të tretë qëndron me një mikpritës, mund të përbëjë gjithashtu dëshmi të mjeteve të mjaftueshme të jetesës. Vlefshmëria e një karte krediti mund të verifikohet duke kontaktuar kompaninë lëshuese ose duke përdorur lehtësira të tjera të disponueshme në pikën e kalimit kufitar (p.sh. zyrat e këmbimit). Ftesa nga nikoqirët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin ose duke verifikuar mirëbesimin e pritësit nëpërmjet pikave kombëtare të kontaktit të Shteteve Anëtare në të cilat banon pritësi.
- A është gjithmonë i nevojshëm sigurimi mjekësor i udhëtimit për të udhëtuar në zonën Shengen?
Sigurimi mjekësor i udhëtimit nuk është i detyrueshëm. Megjithatë, rekomandohet të merrni një në rast të udhëtimit në vendet e Shengenit.
- Nëse planifikoj të vizitoj një mik ose të afërm që jeton në zonën Shengen, do të më duhet të siguroj ndonjë informacion specifik për këtë person në kufi?
Mund t’iu kërkohet të jepni informacion për këtë person. Rekomandohet të keni të paktën adresën e banimit dhe numrin e kontaktit. Autoritetet kufitare mund ti thërasin në telefon miqt tuaj për ta verifikuar nëse ju do të qëndroni tek ata ose tju vizitojnë në adresën e dhënë për tu siguruar që është vizitë private ose familjare.
- Pasi të zbatohet udhëtimi pa viza, a mund të udhëtoj nga një vend Shengen në një tjetër vend?
Nuk ka kontrolle kufitare midis vendeve në zonën Shengen. Megjithatë, kontrollet kufitare kryhen ndërmjet vendeve të Shengenit dhe Bullgarisë, Qipros dhe Rumanisë (Shtetet Anëtare të BE-së që ende nuk e zbatojnë plotësisht acquis Shengen).
- Nëse qëndroj përtej 90 ditësh (pa leje qëndrimi ose vizë afatgjatë) ose punoj në Zona Shengen (pa leje pune), çfarë mund të ndodhë?
Një shtetas jo-BE që qëndron në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) është i pranishëm në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen. Puna në zonën Shengen pa leje pune është gjithashtu e paligjshme (edhe nëse është më pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në një ndalim të rihyrjes në zonën Shengen. Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative. Keqpërdorimi dhe qëndrimi i tepërt mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Shengen deri në 5 vjet.
- Çfarë pasoja mund të keni në rast të shkeljeve eventuale?
Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes së zonën Shengen deri në 5 vite.
- Kush nuk mund të udhëtoj në zonën Shengen?
Persona që figurojnë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.
Persona ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet e zonës Shengen, apo kanë qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë (kthimi apo dëbimi), që kryesisht zbatohen për raste të qëndrimit të paligjshëm.
- A mund të më refuzohet hyrja në shtetet e zonës Shengen?
Pra, policia kufitare e shtetit Shengen ka të drejtë t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast se:
X Nuk ka pasaportë me vlefshmëri të mjaftueshme (minimumi 3 muaj pas periudhës së planifikuar të kthimit nga zona Shengen);
X Paraqet dokumente të falsifikuara;
X Nuk posedon dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit;
X Nuk paraqet dëshmi se ka mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit;
X Ka tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore;
X Paraqet rrezik për sigurinë publike, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare për një apo më shumë shtete të Shengenit;
X Kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë.
- Çka është ETIAS dhe kur do të jetë funksional?
Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit shkurt njihet si ETIAS (nga gjuha angleze). Sistemi ETIAS ende nuk është funksional dhe sipas paralajmërimeve mund të operacionalizohet dikur gjatë ose pas vitit 2024. Derisa nuk është ende në funksion, qytetarët e Kosovës me pasaporta valide do ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza duke filluar nga 1 janari, 2024. Në momentin që është plotësisht operativ dhe funksionon, sistemi ETIAS do të vlej për të gjitha shtetet që nuk kanë viza për të hyrë në zonën Shengen, pra njëjtë edhe për Kosovën.
ETIAS është një sistem i automatizuar IT i cili duhet të zbulojë rreziqet, nga pikëpamja e emigracionit dhe sigurisë, te njerëzit që mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë. Në të njëjtën kohë, ky sistem do ta bëjë më të lehtë për shumicën dërrmuese të udhëtarëve që nuk paraqesin rrezik kalimin e kufijve. Të gjithë shtetasit jashtë BE-së që hyjnë në zonën Shengen pa viza, pra edhe poseduesit e pasaportës së Kosovës, do të duhet të aplikojnë për një autorizim udhëtimi përmes sistemit ETIAS përpara nisjes. Për këtë shërbim do të paguhet online një shumë simbolike e cila për momentin ende nuk është e caktuar. Informacioni i mbledhur nga ETIAS lejon kontrollimin paraprak për rreziqet e mundshme të emigracionit të parregullt dhe të sigurisë.
Pas plotësimit të formularit të aplikimit online, sistemi kryen kontrolle ndaj sistemeve të informacionit të BE-së për kufijtë dhe sigurinë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, leja për të udhëtuar merret brenda pak minutash. Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të jetë i detyrueshëm për të hyrë në zonën Shengen. Rojet kufitare do t’i kontrollojnë këto autorizime, së bashku me dokumentet e udhëtimit, kur udhëtarët kalojnë kufijtë e BE-së. Ky para-kontroll i shtetasve të përjashtuar nga viza nga jashtë BE-së lehtëson kontrollet kufitare, shmang burokracinë dhe vonesat për udhëtarët që mbërrijnë në kufi, koordinon dhe harmonizon vlerësimin e rrezikut të shtetasve të vendeve të treta dhe redukton ndjeshëm refuzimet e hyrjes në pikat e kalimit kufitar.
- Sa para duhet të kem me vete për të udhëtuar në zonën Shengen?
Kohëve të fundit kemi marr shumë pyetje se sa para duhet ti kemi me vehte ose të deponuara në bankë në mënyrë që të vizitojmë shtetet e zonës Shengen. Duke marr parasysh që #paviza mund të udhëtoni nga 1 janar, 2024 vetëm për vizita afatshkurta turistike ose familjare e atë më së shumti deri në 90 ditë qëndrim në vijim po i japim disa informata praktike.
Si udhëtar/e, me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund tju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartment apo tek të afërmit tuaj.
Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartment apo çfardo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person.
Akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikëpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë. Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfardo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.
Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni. Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë. Një tabelë me shumat referente mund ta shihni në këtë link: https://home-affairs.ec.europa.eu/system/files/2023-09/reference_amounts_table.pdf
Për fund, ju nuk keni nevojë të keni të deponuara sasi të caktuar të mjeteve në bankë, por ju duhet të dëshmoni që keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin tuaj atje duke përfshirë kostot për kthimin në Kosovë.
- Unë kam një vizë me afat deri me datën 31 dhjetor, 2023. Nëse kam udhëtuar para vitit të ri, a mund të qëndroj në zonën Shengen edhe disa ditë pas vitit të ri?
Ju duhet të keni një vizë Shengen valide deri me datë 31 dhjetor, pra duke përfshirë edhe datën 31 dhjetor, 2023. Nëse tashmë keni hyrë në zonën Shengen para datës 31 dhjetor, 2023 dhe meqë me pasaportë të Kosovës nuk kërkohet vizë nga 1 janari, 2024 ju mund të vazhdoni të qëndroni në zonën Shengen. Në këtë rast rregulla e njëjtë vlen, ju mund të qëndroni vetëm 90 ditë brenda periudhës 180 ditë. Pra, ditët e kalkuluara në zonën Shengen për vizitë afatshkurtë në rastin tuaj përfshijnë edhe ato të vitit 2023, prandaj kujdes me llogaritjen e ditëve meqë për ju ato llogariten nga data e hyrjes së parë në zonën Shengen.
Për më shumë vizitoni https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/schengen-borders-and-visa/smart-borders/european-travel-information-authorisation-system_en
Me rëndësi:
Hyrja pa vizë në Bashkimin Evropian nuk është e garantuar. Hyrja mund te refuzohet nga policia kufitare në rast se nuk keni pasaportë valide me afat të mjaftueshëm, nuk keni dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin e planifikuar në zonën Shengen, apo në të kaluarën keni tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore.