Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Liberalizimi i vizave

Dialogu në mes të Kosovës dhe Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave u nis me 19 janar 2012. Për të kordinuar dialogun për liberalizimin e vizave, u themeluan strukturat përkatëse, përkatësisht Komiteti Drejtues për Liberalizimin e Vizave në nivel politik dhe Sekretariati për Liberalizimin e Vizave në nivel teknik të kryesuar atë kohë nga Ministria e Integrimit Evropian (MIE) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Më 14 qershor 2012, Kosova pranoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave ku identifikoheshin të gjitha masat që Kosova duhet të miratojë dhe zbatojë për të avancuar drejt liberalizimit të vizave. Në prill të vitit 2013, Qeveria miratoi planin e veprimit për liberalizimin e vizave ku u zotua të përmbushë hapat e arritjes së objektivave të vendosura nëpërmjet një qasjeje dinamike. Kjo qasje dinamike drejt dialogut të liberalizimit të vizave përcakton një ritëm paksa të ndryshëm në lidhje me monitorimin dhe zbatimin e planit të liberalizimit të vizave. Komisioni Evropian ka publikuar katër raporte zyrtare ku vlerësohet progresi i arritur nga institucionet e vendit kundrejt kritereve të paraqitura në udhërrëfyes.

Me 4 maj 2016, Komisioni Evropian miratoi rekomandimin për heqjen e vizave për Kosovën pasi është vlerësuar që Kosova ka zbatuar obligimet e dala nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave. Ndërsa në korrik 2016, Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian nxori rekomandim që i është drejtuar Komisionit për Liritë Civile të Parlamentit Evropian për të miratuar rekomandimin për heqjen e vizave. Në Raportin e fundit të publikuar me 18 Korrik 2018 u konfirmua përmbushja e të gjitha kritereve. Bazuar në këtë raport, me ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi më 21 mars 2018 është përmbushur edhe njëri nga dy kriteret e mbetura. Raporti i fundit gjithashtu konfirmon se Kosova vazhdon të përmbushë të gjitha kriteret e tjera të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Liberalizimit të Vizave në lidhje me ri-pranimin dhe ri-integrimin, sigurinë e dokumenteve, migrimin dhe menaxhimin e kufijve, rendin dhe sigurinë publike dhe të drejtat themelore që lidhen me lirinë e lëvizjes.

Me 30 gusht 2018 Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) miratoi raportin e Komisionit me 30 vota pro, 10 kundër, dhe 2 abstenime. Ndërsa me 13 shtator 2018 Parlamenti Evropian votoi rekomandimin e Komitetit LIBE me 420 vota pro dhe 186 kundër. Edhe pse kriteret ishin plotësuar nuk ka pas gatishmëri nga ana e shteteve anëtare të BE-së për ta diskutuar e votuar këtë temë në Këshillin e BE-së.

Gjatë vitit 2022, qeveria e Kosovës ka punuar ngusht me Komisionin Evropian dhe Presidencën Çeke të BE-së për ta kthyer në agjendë të Këshillit të BE-së këtë temë. Qeveria e Kosovës me 12 gusht, 2022 ka dërguar një raport të përditësuar teknik tek Komisioni Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupcionin e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilit e migrimit. Pas vlerësimit pozitiv të këtij përditësimi presidenca Çeke e ka vendosur në agjendën e Këshillit në grupin punes të vizave, duke e zhbllokuar proçesin i cili kishte ngelur i bllokuar për 4 vite.

Me 14 tetor 2022, dosja e liberalizimit të vizave për Kosovën kalon në Grupin Punues të Vizave në kuadër të Këshillit të BE-së. Me 22 nëntor 2022 në mbledhjen e Grupit Punues të Vizave është dakorduar që qytetarët me pasaporta të Kosovës të lëvizin lirshëm në zonën Shengen pas funksionalizimit të sistemit ETIAS me 1 nëntor 2023 apo me 1 janar 2024, në rast të shtyrjes së funksionalizimit të sistemit ETIAS.

Me 22 nëntor 2022, Grupi Punues i Vizave është pajtuar me propozimin për liberalizim të vizave për shtetasit kosovarë. Derisa me 30 nëntor Këshilli përmes ambasadorëve të shteteve të BE-së në formatin COREPER II kan votuar pro këtij propozimi për liberalizim të vizave.

Me 15 dhjetor 2022, Përfaqësuesit të Presidencës së Këshillit dhe Parlamentit Evropian kanë arritur pajtim për të draftuar një rregullore për liberalizim të vizave që hyn në fuqi kurdo që të funksionalizohet sistemi ETIAS por jo më vonë se 1 janar, 2024. Ky propozim u votua në COREPER II me 20 dhjetor, 2022.

Me 12 janar 2023, Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian miratoi propozimin me 48 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim, për të lejuar udhëtimin e lirshëm të qytetarëve kosovarë më së voni me 1 janar 2024.

Me 9 mars 2023, Këshilli i Ministrave miratoi njëzëri vendimin për liberalizim të vizave.

Me 18 prill të vitit 2023, Parlamenti Evropian ka miratuar ​Rregulloren (BE) 2023/850 – dhe plotësim ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 për të shtuar Kosovën në listën e atyre territoreve shtetasit e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Ceremonia e nënshkrimit të rregullores është mbajt me 19 prill 2023 në Parlamentin Evropian në Strasburg me prani të Presidentes së Parlamentit Roberta Metsola dhe përfaqësueses së Presidences Suedeze, Jessika Roswall, Ministre për Evropë. Në ceremoni ishin të pranishëm edhe Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe raportuesi nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten. Zëvendëskryeministri Bislimi pas nënshkrimit të vendimit deklaroi se “Ky vendim dërgon një sinjal të fortë qytetarët tanë përkasin në Evropë”.

Rregullorja e BE-së 2023/850 është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së dhe ka hyrë në fuqi me 15 maj, 2023. Sipas saj qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza për vizita afatshkurta duke filluar nga 1 janari, 2024.

 

 

Comments are closed.