Përkthimi i acquis
Përkthimi i legjislacionit të BE-së është pjesë integrale e procesit të përafrimit të legjislacionit vendor me acquis të BE-së. Përkthimi i akteve ligjore të BE-së do të planifikohet në bazë të Programit Vjetor Legjislativ të Qeverisë si dhe në bazë të prioriteteve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Fillimisht, IE do të bëjë identifikimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian të përkthyer deri më tani në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës nga institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, autoritetet, si dhe organet tjera të administratës shtetërore. Aktet e përkthyera nga institucionet tjera do t’i nënshtrohen procedurës së rishikimit dhe IE do të krijojë një databazë fillestare të këtyre akteve të përkthyera.
Në tërësi, procesi i përkthimit nënkupton kalimin e aktit të legjislacionit të Bashkimit Evropian nëpër këto faza:
1. Procedura përgatitore e përkthimit – përfshinë identifikimin e fushave prioritare për përkthim në bazë të dokumenteve strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, identifikimin e akteve për përkthim, si dhe përcaktimin e kalendarit vjetor të përkthimit.
2. Procedura e realizimit të përkthimit – koordinohet nga Ministria e Integrimit Evropian, e cila përgatitë, zhvillon dhe menaxhon procesin e prokurimit për realizimin e përkthimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
3. Procedura e rishikimit të përkthimit – ngërthen në vete tri faza të procedurës, dhe atë:
a) Rishikimi profesional, që paraqet rishikimin e aktit ligjor nga aspekti përmbajtësor profesional i fushës së caktuar;
b) Rishikimi gjuhësor, që paraqet rishikimin e aktit ligjor nga aspekti përmbajtësor i saktësisë gjuhësore të tij, si dhe
c) Rishikimi ligjor, që paraqet rishikimin e aktit ligjor nga aspekti përmbajtësor ligjor.
4. Procedura e miratimit të përkthimit – realizohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë se Integrimit Evropian, i cili është përgjegjës për miratimin e aktit të përkthyer.
5. Procedura e publikimit të përkthimit – realizohet nga Ministria e Integrimit Evropian, e cila është përgjegjëse për publikimin e versionit të certifikuar të aktit të përkthyer.