Strukturat e Stabilizim Asocimit
Strukturat e përbashkëta institucionale të stabilizim-asociimit
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës (MSA) përmban një pjesë të veçantë dispozitash që themelojnë struktura të përbashkëta institucionale të stabilizim-asociimit përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes. Këto dispozita janë përfshirë në kreun X të MSA-së, përkatësisht nenet 126 – 132.
Këto struktura janë instanca formale institucionale përmes të cilave zhvillohet dialogu i reformave ndërmjet institucioneve relevante të Republikës së Kosovës dhe atyre të BE-së, me përfshirjen e shteteve anëtare, për përmbushjen e obligimeve të MSA-së dhe kërkesave të tjera në këtë kontekst në kuadër të procesit të integrimit të Kosovës në BE. Bazuar në këto dispozita, menjëherë pas hyrjes në fuqi të MSA-së janë krijuar dhe funksionojnë këto struktura:
- Këshilli i Stabilizim-Asociimit (KSA), struktura më e lartë vendimmarrëse, në nivelin politik, me fushëveprim në të gjitha fushat që rregullon MSA (bazuar në nenet 126 – 128 të MSA-së);
- Komiteti i Stabilizim-Asociimit (Komiteti), struktura e nivelit të lartë të shërbimit civil, me fushëveprim në të gjitha fushat që rregullon MSA (bazuar në nenin 129); dhe
- Nënkomitetet dhe grupet e veçantë të stabilizim-asociimit, struktura të nivelit sektorial (bazuar në nenet 130 – 131), përkatësisht këto struktura:
• Nënkomiteti për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime;
• Nënkomiteti për Bujqësi dhe Peshkatari;
• Nënkomiteti për Treg të Brendshëm dhe Konkurrencë;
• Nënkomiteti për Çështje Ekonomike e Financiare dhe Statistika;
• Nënkomiteti për Drejtësi, Liri dhe Siguri;
• Nënkomiteti për Inovacion, Shoqëri të Informacionit dhe Politika Sociale;
• Nënkomiteti për Transport, Energji, Mjedis dhe Zhvillim Rajonal;
• Grupi i Veçantë për Reformën e Administratës Publike; dhe
• Grupi i Veçantë për Normalizim.
Përbërja dhe rregullat e funksionimit të këtyre strukturave rregullohet më hollësisht përmes dy akteve të tjera normative:
- Rregullores së Punës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të miratuar nga KSA, dhe
- Rregullores së Qeverisë (QRK) – nr. 13/2016 për Funksionimin dhe Përfaqësimin e Institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Strukturat e Stabilizim-Asociimit, të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Përveç këtyre, gjithashtu funksionon Komisioni Parlamentar i Stabilizim-Asociimit (KPSA), si strukturë e përbashkët institucionale e Parlamentit Evropian dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës (bazuar në nenin 132).