Integrimi Evropian

Ministrja Hoxha: Barazia gjinore e domosdoshme për procesin integrues

21 Shkurt, 2018

Prishtinë, 21 Shkurt 2018-Sot, është mbajtur debat për temën: Dimensioni gjinor i procesit të Integrimit Evropian në Kosovë, të organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ-Geselschaft fur Internationale Zusammenarbeit).

Takimin e hapi Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ndërsa fjalë rasti mbajti edhe Ambasadori i Gjermanisë, Z. Christian Heldt, si dhe ekspertet dhe përfaqësueset e organizatave që merren me çështjet gjinore, Edi Gusia, Igballe Rugova dhe Serena Romano.

Në fjalën e rastit, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha theksoi se çështja e fuqizimit të gruas si dhe barazia gjinore janë tema të cilat tashmë kanë marrë përmasa globale. Vendet e zhvilluara kanë një avantazh të theksuar në këtë drejtim krahasuar me vendet në zhvillim, siç është Kosova.

“Fuqizimi i rolit të gruas në biznes dhe ndërmarrësi është prioritet i shoqërisë kosovare. Është kënaqësi që çdo ditë e më shumë shohim gra të fuqishme në profesione të ndryshme, duke portretizuar fuqizimin e gruas si një qëllim të përbashkët që na bashkon përtej vështirësive sociale ekzistuese në Kosovë”, theksoi Ministrja Hoxha, duke cekur rëndësinë e qasjes së barabartë në resurse apo mundësi të barabarta për të marrë pjesë në vendimmarrje, ka kosto të drejtpërdrejtë ekonomike dhe sociale.

Mungesë e barazisë ndikon kryesisht jetën e grave, por gjithashtu ka pasoja edhe për fëmijët e tyre, komunitetin dhe vendin në përgjithësi, vuri në dukje Ministrja Hoxha, duke shtuar se pabarazia dëmton themelet e shoqërisë prandaj barazia gjinore nuk duhet të shihet vetëm nga aspekti i të drejtave të njeriut por duhet trajuar edhe si një humbje e potencialit njerëzor.

Në fushën e arsimit duhet kushtuar vëmendje sepse baza e barazisë gjinore fillon në sigurimin e arsimimit të barabartë. Kosova ka shkallën më të ulët të punësimit në Ballkanin Perëndimor dhe gratë ende nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në jetën ekonomike dhe të biznesit të vendit.

“Barazia gjinore është ankoruar si një vlerë e përbashkët e shteteve anëtare të BE në Traktatin e Lisbonës të vitit 2007. Ajo shprehet gjithashtu në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore, neni 23, i cili parasheh që “Barazia midis burrave dhe grave duhet të sigurohet në të gjitha fushat, duke përfshirë punësimin, punën dhe pagën”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja foli edhe për Programin e Qeverisë 2017-2021 që definon se reforma strukturore në arsim fokusohet në rritja e pjesëmarrjes dhe qasja e barabartë në arsim, sigurimin, garantimin dhe rritjen e cilësisë së arsimit, menaxhimin e institucioneve të arsimit, integrimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, promovimin e shkencës dhe hulumtimeve, dhe financimin e arsimit dhe shkencës përmes rishikimit të formulës së financimit.

Të kuptuarit e integrimit evropian si një proces ndër-sektorial që prek të gjitha fushat e jetës nënkupton trajtimin e gjinisë si pjesë përbërëse dhe parimin udhëheqës të procesit në fjalë, theksoi Ministrja. Ministria e Integrimit Evropian është e gatshme që të punojë me të gjitha institucionet për të krijuar një klimë më të përshtatshme për avancimin e të drejtave të grave si pjesë e procesit integrues.

Ndërsa Ambasadori gjerman, Z. Heldt e mirëpriti këtë nismë dhe theksoi faktin se barazia gjinore është pjesë vitale e procesit të integrimit në BE, për burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë.

Last modified: 9 Gusht, 2022

One Response to " Ministrja Hoxha: Barazia gjinore e domosdoshme për procesin integrues "

  1. … [Trackback]

    […] Find More Info here on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/ministrja-hoxha-barazia-gjinore-e-domosdoshme-per-procesin-integrues/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *