Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Mbahet forumi për mbrojtjen kolektive të të drejtave të autorit

15 Shtator, 2023

Në kuadër të Projektit KSV 019, Asistencë Teknike në kontekst të Integrimit Evropian, i cili menaxhohet prej Zyrës për Kritere Ekonomike dhe Treg të Brendshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, është organizuar një forum me temën ‘Identifikimi i sfidave në zbatimin e vendimit për tarifat e përgjithshme’, lidhur me mbrojtjen kolektive të të drejtave të autorit.
Në këtë forum, ndër temat që u trajtuan ishin: Sistemi i menaxhimit kolektiv të materialeve të mbrojtura me të drejta të autorit në Itali; Konceptet themelore të kësaj fushe; Sfidat për zbatimin e kësaj politike në Kosovë; Ndryshimet ligjore të parapara me projektligjin e ri që është në proces të miratimit në Kosovë; Vendimi për Tarifat e Përgjithshme për Shfrytëzimin e Lëndës së Mbrojtur me rastin e Ritransmetimit; dhe Pozicionet e Shoqatave për Menaxhim Kolektiv dhe Operatorëve kabllor lidhur me tarifat.
Të pranishëm në këtë takim për të dhënë kontributin e tyre në këtë fushë ishin edhe dy ekspertë, njëri ndërkombëtar dhe tjetri vendor, për të ndarë ekspertizën e tyre lidhur me këtë fushë me palët relevante.
Po ashtu, pjesëmarrës në këtë forum ishin anëtarët e Task-forcës kundër Piratërisë, përfaqësues nga Komisioni i Pavarur i Mediave, përfaqësuesit e Shoqatave për Menaxhim Kolektiv (VAPIK), përfaqësuesit e operatorëve kabllor dhe përfaqësues të mediave si përdorues të veprave të mbrojtura.
Ky projekt mbështetet financiarisht nga Qeveria e Luksemburgut dhe implementohet nga Zyra e Kryeministrit e cila në bashkëpunim me Zyrën për të Drejtën e Autorit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për përmbushjen e kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.

Last modified: 15 Shtator, 2023

Comments are closed.