Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kryeministri Kurti takoi komunitetin turk në Prizren në kuadër të fushatës informuese për liberalizimin e vizave që po afron

21 Dhjetor, 2023

Prizren, 21 dhjetor 2023

Në kuadër të fushatës së informimit për liberalizimin e vizave, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi sot komunitetin turk në Prizren, me të cilët bashkëbisedoi dhe ndau informacione për ushtrimin e të drejtës së lirisë së lëvizjes në zonën Schengen nga e cila na ndajnë vetëm 10 ditë. Së bashku me Kryeministrit në këtë sesion informues ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi dhe deputetët nga radhët e komunitetit turk në Kuvendin e Republikës, Enis Kervan dhe Fidan Jilta.

Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi na dhuron mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.

Kundrejt kësaj çështjeje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë një fushatë informimi në gjithë vendin, ku përgjatë tetorit dhe nëntorit kamioneta me informata ka vizituar mbi 30 komuna të Kosovës, me materiale të shtypura në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome. Në kuadër të saj është gërshetuar edhe kuizi i BE-së për qytetarët i cili ka mundësuar që një grup të fitoj udhëtimin e parë pa viza me 1 janar në Vjenë të Austrisë.

Fushata e informimit, përveçse në teren është realizuar edhe në aeroport e pika kufitare, në TV/radio e rrjete sociale. Të gjitha pyetjet e qytetarëve janë drejtuar në numrin e telefonit pa pagesë në 0800 77 001, të lansuar enkas për shpjegimin e rregullave që duhet respektuar nga 1 janari i vitit 2024 kur të hyj në fuqi liberalizimi i vizave.

Duke ritheksuar kriteret për lëvizje të lirë, siç janë pasaporta biometrike, udhëtimi vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, si dhe dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese, kryeministri bëri thirrje që këtë arritje ta shfrytëzojmë me përgjegjësi pasi është një e drejtë të cilën e kemi fituar me vështirësi.

“Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Republikës së Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Pra, kjo arritje është arritje e përbashkët, pasi progresi i shënuar nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, u shpreh kryeministri Kurti.

Fushata e informimit për liberalizim të vizave inicuar nga Qeveria, ka filluar me 5 tetor në kryeqytetin e shtetit, Prishtinë, dhe ka vazhduar tutje në mbi 30 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe 4 komunat në veri të vendit.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuara Zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës znj. Emilja Rexhepi, përgjegjëse për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në Qeverinë tonë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore
Të dashur të reja dhe të rinj prizrenas,
Të dashur qytetarë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Merhaba prizrenliler,

Kohës së pritjeve të gjata para ambasadave, të mungesës në ditëlindjet e gëzimet familjare, të humbjes së mundësive për studime e biznes, i erdhi fundi.
Nga sot, vetëm dhjetë ditë na ndajnë nga 1 janari i vitit 2024 dhe ushtrimit të lirisë së lëvizjes në zonën Schengen.

Për një shtet që çdo të tretin qytetarë e ka në mërgatë, liberalizimi i vizave për Kosovën pra është më shumë se sa liri e lëvizjes.

Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët të cilët do t’u hapen mundësitë e përfaqësimit e të pjesëmarrjes, liberalizimi i vizave ka edhe një dimension njerëzor që është mundësia e gjyshërve për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të mbesave e nipave e të tyre. Është gëzimi për të qenë pranishëm në dasmën e një të dashure ose të dashuri dhe ngrohtësia që ndjen kur bashkohet familja – janë këto momente që i japin jetës tonë kuptim dhe e pasurojnë atë. Pra nuk është thjeshtë aftësia për të shkuar në një vend tjetër por për të mos munguar në momentet e çmueshme të jetës, për të qenë aty për njëri-tjetrin e për të mos munguar në kujtime të cilat zgjasin gjatë gjithë jetës.

Liria e lëvizjes do të zgjerojë jo vetëm horizontet por do të thellojë edhe lidhjet tona. Prandaj në këtë ndërrim të mot moteve kur akrepat e orës do të kalojnë orën 12, të numri 12, ne do të kemi festë të dyfishtë. Arritjeve të këtij viti do t’ua shtojmë shpresat dhe pritjet për vitin tjetër me më shumë liri.
E këtë liri të fituar me shumë përpjekje e sakrificë, do ta shfrytëzojmë me përgjegjësi duke respektuar rregullat dhe kërkesat. Për këtë kemi bërë një fushatë informimi të drejtë, gjithandej vendit në secilën komunë të Republikës.

Fushatën e informimit për liberalizim të vizave e kemi filluar me 5 tetor në Prishtinë. Përgjatë tetorit dhe nëntorit kamioneta me informata ka vizituar mbi 30 komuna të Kosovës, pra përfshirë këtu edhe 4 komunat në veri të vendit. Në Prizren kemi qenë me 9 tetor. Përveç se në gjuhën shqipe dhe serbe, materialet e informimit i kemi përkthyer dhe shtypur edhe në gjuhën turke, si dhe në gjuhën rome.

Kuizi i Bashkimit Evropian ka mundësuar që një grup të fitojë udhëtimin e parë pa viza me 1 janar të Vjenë të Austrisë.

Janë prodhuar disa video audio materiale informuese, ndërsa të gjitha informatat i gjeni në ueb faqen e Integrimit Evropian në këto broshura, të cilat i keni para vetes edhe në gjuhën turke.

Fushatën e informimit përveç se në terren, e kemi bërë edhe në aeroport e pika kufitare, në televizione, radio e rrjete sociale. Dje, së bashku me Ambasadën gjermane kemi qenë në Graçanicë dhe në një qendër tregtare në Prishtinë, e sot, para se të vinim këtu, është realizuar fushata në Mamushë.

Dje, po ashtu e kemi lansuar numrin e telefonit pa pagesë për të gjitha pyetjet tuaja. e që është 0800 77 001. Janë shpërndarë materiale e informata në të gjitha qendrat e regjistrit civil e janë mbajtur takime me qytetarë e Organizata joqeveritare nga të gjitha komunitetet, për të shpjeguar rregullat që duhet respektuar nga 1 janari i vitit 2024 kur të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave.

Siç e dini të gjithë, sepse e kemi përjetuar bashkërisht, ky proces është tejzgjatur dhe tejvonuar sa për mungesën e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian, aq edhe për mungesën e progresit dhe imazhit të dëmtuar te ne. Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Republikës së Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Pra, kjo arritje është arritje e përbashkët, pasi progresi i shënuar nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve.

Liberalizimi do të thotë lëvizje e lirë, megjithëkëtë duhet të kemi kujdes, sepse përmban rregulla, të cilat duhet vëzhguar me kujdes e respektuar me përpikëri. Më lejoni t’i përmend ato:

– Duhet të keni pasaportë biometrike;
– Mund të udhëtoni vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve;
– Duhet të posedoni informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit;
– Duhet të ofroni dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, tek të afërmit apo në hotel; si dhe
– Dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese.

Të dashur qytetarë,

Liberalizimi i vizave duhet shfrytëzuar me përgjegjësi pasi është një e drejtë, të cilën e kemi fituar me vështirësi.

Le të udhëtojmë lirshëm, por përgjegjshëm e të mirë-informuar.

Pas fjalës sime do të keni mundësi të dëgjoni nga stafi im mbi mundësitë dhe rregullat e udhëtimit pa viza dhe ata janë të gatshëm të përgjigjen në të gjitha pyetjet tuaja.

Ju faleminderit, gëzime e urime në vitin 2024 edhe një herë për të gjithë juve dhe secilën e secilin prej jush.

Last modified: 23 Janar, 2024

Comments are closed.