Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Kosova merr rekomandimin për liberalizim të vizave

4 Maj, 2016

Prishtinë, 4 maj 2016 –  Deklarata e Ministrit për Integrim Evropian, Bekim Çollaku, gjatë konferencës për media me rastin e pranimit të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës:

I uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për propozimin e sotëm të Komisonit Evropian për liberalizimin e vizave, dhe e falënderoj shumë Komisionin Evropian për këtë vendim. Dua të përmend Presidentin Jean Claude Juncker, Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, znj. Mogherini, Komisionerin Johannes Hahn dhe Komisionerin Dimitris Avramopoulos për kontributin e tyre personal.

Me këtë vendim Komisioni Evropian ka vulosur faktin që përpjekjet e qeverive të Kosovës për më shumë se katër vite kanë përmbushur me sukses kriteret e procesit.

Vendimi i sotëm i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më pro-evropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rijnë, dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit.

Rekomandimi i sotëm është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Schengen për qytetarët e Kosovës. Tani që procedura e  vendimmarrjes është nisur, ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe me shtetet anëtare të BE-së në mënyrë që vendimi përfundimtar pozitiv të merret sa më shpejtë. Besoj fuqishëm se kjo do të ndodhë shpejtë, dhe vendimi i Komisionit sot vetëm më përforcon bindjen se lëvizja e qytetarëve pa viza do të bëhet këtë vit.

Si Ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, si udhëheqës i këtij procesi, dhe para së gjithash si një qytetarë i thjeshtë sot jam shumë krenar me këtë arritje shumë domethënëse për secilin nga ne. Jam i lumtur që të rinjtë tanë do të gëzojnë mundësinë e udhëtimit të lirë,  dhe që shumë nga qytetarët tanë janë afër ditës kur më lehtë do të vizitojnë familjarët e tyre. Kjo do të ndihmoj dhe lehtësoj kontaktet ndërmjet profesionistëve, akademikëve, ndërmarrësve  të Kosovës dhe kolegët e tyre evropian etj.

Ky propozim vjen si rezultat i përkushtimit të pashoq të institucioneve e vendit ndaj përmbushjes së kritereve të udhërrëfyesit më rigoroz dhe më voluminoz që ka pranuar ndonjë vend qoftë në rajon dhe më gjerë.  Prandaj dëshiroj që të falënderoj secilin individ që ka kontribuar në këtë proces, duke filluar me kolegët në qeveri,  pararendësit dhe kolegët në qeverinë e kaluar, Kuvendin e Kosovës që kanë dhënë kontribut të madh në konsolidimin e legjislacionit, dhe të gjitha institucionet e pavarura dhe administratën në përgjithësi për zbatimin e përpiktë të reformave të dala nga ky proces. Një falënderim special i takon institucioneve të sundimit të ligjit, si dhe të gjitha komunat për punën e tyre në terren që gjithashtu ka kontribuar në masë të ndjeshme në suksesin e këtij procesi.

Ne do të vazhdojmë me zbatimin e reformave dhe të sjellim edhe rezultate të mëtutjeshme siç kërkohet nga ky proces. Por dua gjithashtu të them se reformat evropiane në Kosovë nuk përfundojnë me procesin e liberalizimit të vizave, por përkundrazi liberalizimi, së bashku me Marrëveshjen për Stabilizim Asociim që ka hyrë në fuqi muajin e kaluar, do të jenë motorë të fuqishëm për rezultate të mëtutjeshme në rrugëtimin tonë evropian.

Për fund, vendimin e sotëm duhet ta shohim edhe si një konfirmim të qartë se aspirata për një Kosovë evropiane, dhe anëtare e Bashkim Evropian, që e bashkon të gjithë shoqërinë Kosovare nuk përbëjnë vetëm një ëndërr, por që është diçka që së bashku mund, dhe do ta bëjmë realitet.

Last modified: 10 Gusht, 2022

2 Responses to " Kosova merr rekomandimin për liberalizim të vizave "

  1. briansclub thotë:

    … [Trackback]

    […] Read More Information here on that Topic: integrimievropian.rks-gov.net/kosova-merr-rekomandimin-per-liberalizim-te-vizave/ […]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *