Integrimi Evropian

Kosova dhe Maqedonia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për çështje të integrimit në BE

22 Shkurt, 2016

Prishtinë, 22 shkurt 2016 – Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë thelluar bashkëpunimin në fushën e integrimit evropian nëpërmjet një marrëveshjeje të nënshkruar sot në Prishtinë.

Ministri i Integrimit Evropian, z. Bekim Çollaku si dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane z. Fatmir Besimi, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për çështje të integrimit në BE, e cila parasheh bashkëpunim në mes të dy vendeve në disa fusha të rëndësishme që lidhen me integrimin evropian.

Me këtë rast, ministri Çollaku ka vlerësuar se “shkëmbimi i përvojave, informatave e publikimeve të ndryshme në mes të dyja vendeve nëpërmjet kësaj marrëveshje përveçse përshpejton rrugën integruese për të dyja palët njëkohësisht përforcon edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy vendeve tona”.

Edhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë z. Fatmir Besimi, e ka konsideruar të rëndësishme marrëveshjen e arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, duke thënë se “shkëmbimi i përvojave në fushën e eurointegrimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët tanë të cilët në mënyrë të qëndrueshme i japin përkrahje këtij procesi, duke e bërë rajonin tonë më të fortë”.

Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin e të dy Qeverive në fushën e harmonizimit të legjislacionit vendor me legjislacionin e BE-së dhe zbatimin e këtij legjislacioni; ngritjen e institucioneve dhe kapaciteteve administrative të nevojshme në procesin e integrimit; përkthimin e legjislacionit të BE-së; koordinimin e asistencës së huaj, veçanërisht maksimizimin e efekteve të përdorimit të instrumenteve financiare të BE-së, si dhe strategjinë e komunikimit të procesit të integrimit evropian me publikun e gjerë.

Marrëveshja do të vlej për një kohë të pa caktuar, gjegjësisht deri në integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian.

 

Last modified: 11 Gusht, 2022

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *