Prishtinë, 9 Maj 2023 – Sot shënohet një ditë e rëndësishme në kontinentin tonë, 9 maji, Dita e Evropës. Kjo ditë kujton deklaratën e ministrit të jashtëm francez, Robert Schuman i cili foli për here të parë për idenë e Evropës. Evropën e cila nuk do ishte më një kontinent i shkatërruar nga luftërat dhe rivalitetet, por një projekt politik i paqes, prosperitetit dhe lirisë.
Ai thoshte se: “Paqja botërore nuk mund të ruhet pa ndërmarrjen e përpjekjeve kreative në proporcion të drejtë me rreziqet që e kërcënojnë atë.” E në sfidat me të cilat po përballet tashmë Evropa, uniteti dhe paqja janë domosdoshmëri për një të ardhme të lire, demokratike e prosperuese.
Në Ditën e Evropës, ne si Qeveri riafirmojmë projektimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Vetëm gjatë vitit të fundit, vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugëtimin e integrimit evropian si votimi i parë pozitiv në fazat drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Hap pas hapi, Kosova po i afrohet Bashkimit Evropian. Qytetarët e vendit tonë, të cilët përqafojnë dhe i mishërojnë vlerat evropiane, mund të ndihen tashmë më afër Evropës. Kosova gjendet në një trajektore të vendosur në rrugën drejt BE-së, në një proces të pakthyeshëm.
Urime të gjithë qytetarëve Ditën e Evropës!
Last modified: 9 Maj, 2023