Korniza Ligjore për PërafrimProcesi i përafrimit të legjislacionit vendor me atë të BE-së është një proces mjaft sfidues për institucionet e Republikës së Kosovës. Ky proces përbën një nga kriteret për anëtarësim në BE. Hartuesit e legjislacionit me qëllim të draftimit të akteve ligjore në përputhshmëri me kërkesat dhe standardet e acquis të BE-së, gjatë procesit të hartimit të akteve ligjore, duhet të i’u përmbahen kërkesave dhe kritereve normative të cilat rrjedhin nga aktet ligjore në fuqi, e ato janë:
• Rregullorja Nr. 09/2011 e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës (07.09.2011);
• Rregullorja Nr. 13/2013 për Shërbimin Ligjor Qeveritar (17.06.2013);
• Udhëzimi Administrativ nr. 03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative (17.06.2013);
• Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës (29.04.2010);
Në tërësi, fazat kryesore që përbëjnë procesin e përafrimit ligjor, janë:
FAZA PËRGATITORE: Kjo fazë nënkupton përgatitjen fillestare në përafrimin e legjislacionit vendor me acquis, e cila përfshinë:
– Identifikimin e akteve juridike të BE-së që janë në fuqi (burimet primare, sekondare, si dhe burimeve të tjera të legjislacionit të BE-së);
– Identifikimin e legjislacionit ekzistues vendor që duhet të miratohet ose ndryshohet dhe që korrespondon me fushën përkatëse të legjislacionit të BE-së.
FAZA ANALITIKE: Në këtë fazë bëhet përcaktimi i nivelit të përafrimit që duhet të arrihet, vlerësimi se çka është e nevojshme për arritjen e përafrimit, si dhe afati kohor se kur do të arrihet. Përcaktimi i prioriteteve në fazën analitike bazohet në interesat e Kosovës duke marrë parasysh:
– Kapacitetin administrativ për përafrim të legjislacionit; dhe
– Ndikimi në zhvillimin ekonomik që buron nga përafrimi i legjislacionit;
Poashtu, këto prioritete bazohen edhe në marrëveshjet ndërkombëtare apo dokumentet strategjike, të tilla si Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim në mes të Kosovës dhe BE-së dhe Plani i Veprimit për Zbatimin e saj apo plane të tjera shtetërore, përkthimi i akteve të domosdoshme juridike të BE-së në gjuhët zyrtare, si dhe përfshirja e tyre në Planin Kombëtar për Integrim, në përputhje me prioritetet e përcaktuara paraprakisht.
FAZA E TRANSPOZIMIT: nënkupton fazën e hartimit ligjor. Pra, rrjedhimisht transpozimi duhet të bëhet në të njejtën kohë kur bëhet hartimi i legjislacionit.
Teknikat më të shpeshta të përafrimit ligjor të cilat përdoren në shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet aspiruese për integrim në BE, janë si në vijim:
– Transpozimi ligjor me riformulim;
– Transpozimi fjalë-për-fjalë (copy-paste);
– Transpozimi me referencë;
ZBATIMI: në këtë fazë duhet të merret parasysh që të bëhet jo vetëm miratimi i ligjeve të reja, amendamenteve të ligjeve ekzistuese në parlament ose akteve nënligjore në nivel ekzekutiv, por të sigurohet edhe aplikimi i tyre i përshtatshëm në praktikë, si dhe menaxhimi i efektit të tyre në infrastrukturën ekzistuese institucionale.
EKZEKUTIMI: pas miratimit të akteve juridike, nevojiten masat e domosdoshme të autoriteteve kompetente (p.sh., monitorimi, mbikëqyrja, kontrollet inspektive, dënimet, masat gjyqësore) për të siguruar që ligji po respektohet plotësisht dhe në mënyrën e duhur.
Në përgjithësi, implementimi i duhur i të gjitha këtyre fazave te cilat kontribojnë në përafrimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së bëhet jo vetëm për të zhvilluar kornizën ligjore të Kosovës në përputhje me kërkesat e saj, por edhe për të siguruar kushte administrative dhe të tjera të nevojshme për zbatimin efektiv të saj.