Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim
- Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim (ZBZH) është njësi organizative në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e cila ka për mision të koordinojë proceset e planifikimit, programimit, monitorimit, raportimit dhe vlerësimit të ndihmës së BE-së dhe donatorëve të tjerë për Republikën e Kosovës në kuadër të bashkëpunimit për zhvillim dhe procesit të para-anëtarësimit në BE, duke përkrahur zbatimin e politikave të dakorduara të vendit me BE-në dhe donatorët e tjerë.
- Detyrat dhe përgjegjësitë e Zyrës e Bashkëpunimit për Zhvillim janë:
2.1. Koordinimi i planifikimit, programimit, monitorimit, raportimit dhe vlerësimin e ndihmës së BE-së dhe donatorëve të tjerë;
2.2. Bashkëpunimi me ministritë në përgatitjen e politikave dhe dokumenteve strategjike për sa i përket bashkëpunimit për zhvillim, duke përcaktuar prioritetet vjetore dhe shumë-vjetore të financimit në mbështetje të procesit të paraanëtarësimit;
2.3. Koordinimi i menaxhimit efektiv të ndihmës për institucionet e Republikës së Kosovës në kuadër të nismave rajonale të BE-së;
2.4. Koordinimi i përgatitjes së marrëveshjeve financiare midis institucioneve të Republikës së Kosovës dhe BE-së në kuadër të procesit të para-anëtarësimit;
2.5. Përkrahja institucionale në cilësi të Zyrës për Koordinatorin Kombëtar të IPA-s (NIPAC), bazuar në detyrimet në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së;
2.6. Menaxhimi dhe mirëmbajtja e bazës së të dhënave të koordinimit të donatorëve;
2.7. Ofrimi i mbështetjes për aktivitetet e strukturave të brendshme qeveritare për koordinimin e donatorëve;
2.8. Ofrimi i mbështetjes për zhvillimin e programeve të ngritjes së kapaciteteve, lidhur me procesin e koordinimit të bashkëpunimit për zhvillim.
- Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim kryen edhe detyrat dhe përgjegjësitë tjera të përcaktuara me legjislacionin në fuqi dhe detyrat e përcaktuara nga Kryeministri dhe Sekretari i Përgjithshëm i ZKM-së.
- Drejtori i Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim i raporton dhe i përgjigjet Sekretarit të Përgjithshëm.
- Në kuadër të kësaj Zyre bëjnë pjesë divizionet si vijon:
5.1. Divizioni për Monitorim dhe Raportim;
5.2. Divizioni për Administratën Publike dhe Sundimin e Ligjit; dhe
5.3. Divizioni për Zhvillim Ekonomik dhe Social.
- Numri i të punësuarve në kuadër të Zyrës së Bashkëpunimit për Zhvillim është trembëdhjetë (13).