Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF)

Korniza e Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF) mbështet zhvillimin socio-ekonomik dhe anëtarësimin në BE në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) përmes ofrimit të fondeve dhe asistencës teknike për investimet strategjike. Është një nismë e përbashkët e BE-së, institucioneve financiare ndërkombëtare (IFN), donatorëve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

WBIF ofron financim dhe asistencë teknike për investimet strategjike në energji, mjedis, sektorin social, transport dhe infrastrukturë digjitale. Gjithashtu mbështet nismat e zhvillimit të sektorit privat.

Aplikimet vlerësohen nga Grupi i Financuesve të Projekteve të WBIF, i cili rekomandon aplikimet e përzgjedhura për miratim në Komitetin Drejtues. Grantet e miratuara më pas zbatohen nga ekipet e zbatimit të projekteve të infrastrukturës dhe/ose vetë IFN-të.

WBIF është një platformë e fondeve që financon përgatitjen dhe zbatimin e projekteve prioritare të infrastrukturës përmes granteve nga IPA dhe donatorët dypalësh të kombinuara me kredi nga institucionet financiare pjesëmarrëse dhe me financime kombëtare nga vendet përfituese. Për më shumë informata: https://www.wbif.eu/

Deri më tani Kosova ka përfituar fonde të kombinuara në kuadër të WBIF (grante dhe kredi) për 46 projekte të ndryshme në sektorët: transport, energji, mjedis, infrastrukturë digjitale, si dhe në sektorin social dhe në atë privat. Këto projekte janë në faza të ndryshme: disa kanë përfunduar, disa janë në zbatim e sipër, dhe disa të tjera janë në përgatitje për zbatim. Shuma totale e investimit e vlerësuar për këto projekte është afërsisht 3 miliardë euro. Kjo shumë përfshin grantet që fitohen në kuadër të kornizës, kreditë nga institucionet financiare ndërkombëtare si dhe bashkëfinancimi nga ana e Kosovës.

Procesi i Berlinit dhe Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore

Në vitin 2014 është lansuar nisma diplomatike nga Kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, e njohur si Procesi i Berlinit, që synon të rrisë bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojë integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Procesi zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në proces dhe plotëson procesin e integrimit institucional të vendeve të veçanta në BE.

Agjenda e konektivitetit e Procesit të Berlinit i referohet lidhjes së njerëzve (dimensioni social), ekonomive (dimensioni ekonomik) dhe shteteve (dimensioni politik) të rajonit. Brenda kësaj agjende, Procesi deri më tani ka zhvilluar iniciativa dhe projekte në fushën e transportit dhe infrastrukturës, lidhjes ekonomike, bashkëpunimit të të rinjve, bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe bashkëpunimit të shoqërive civile të Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu ka nxitur bashkëpunimin ndërqeveritar përmes themelimit të entiteteve sikurse Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor (WBCIF) dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF).

Në kuadër të Procesit të Berlinit, secili vend i Ballkanit Perëndimor ka themeluar strukturën vendimmarrëse qeveritare në formën e një Këshilli Kombëtar për Investime dhe ka hartuar Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore (LPP), si mekanizëm i besueshëm planifikimi, duke siguruar që vendet të kenë hapësirën fiskale për të marrë financimin e nevojshëm për të zbatuar të gjitha projektet në kohë. Në Kosovë rolin e Këshillit Kombëtar për Investime e luan Komisioni i Planifikimit Strategjik, i kryesuar nga Kryeministri dhe i themeluar me vendimin e Qeverisë Nr.042/12 të datës 09.07.2020.

Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore në Kosovë është krijuar për herë të parë në vitin 2015 ndërsa së fundi është përditësuar në vitin 2017, dhe përmban projekte nga fusha e mjedisit, energjisë, transportit dhe sektorit social.

Comments are closed.