Integrimi Evropian

Integrimi Evropian

Çka ështe liberalizimi i vizave?

Liberalizimi i vizave do të thotë lëvizje e lirë pa vizë ne zonën Shengen.

Qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza duke filluar nga 1 janari, 2024.

Udhëtimi pa vizë do të jetë i mundur për vizita afatshkurta turistike, kulturore, sportive, pjesëmarrje në ngjarje të ndryshme si dhe vizita tek të afërmit apo miqtë. Qëndrimi do të jetë i mundur deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180 ditësh.

Në cilat shtete mund të udhëtohet pa vizë?

Shtetet  ku mund të udhëtohet pa vizë janë:

  1. Shtetet Anëtare të BE-së që janë pjesë e zonës Shengen: Për më shumë rreth zonës Shengen dhe listën e shteteve vizitoni linkun https://home-affairs.ec.europa.eu/policies/Shengen-borders-and-visa/Shengen-area_en
  2. b) Shtetet Anëtare të BE-së që nuk janë ende pjesë e zonës Shengen, por e zbatojnë legjislacionin acquis të Shengenit: Bullgaria, Qipro dhe Rumania
  3. c) Shtetet tjera të Shengenit të cilat nuk janë anëtare të BE-së: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Kush mund të përfitoj nga udhëtimi pa viza?

Nga 1 janari, 2024 do të hiqet regjimi i vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës. Të drejtën për të udhëtuar pa viza do ta kenë të gjithë qytetarët e vendit që posedojnë pasaporta biometrike. Megjithatë, qytetarët gjatë udhëtimit duhet të kenë me vete informata dhe dëshminë për gjendjen e tyre financiare, qëllimin e vizitës, vendin se ku do të qëndrojnë, mbulesë të mjaftueshme financiare për ditët e vizitës. Gjithnjë me vete duhet ta keni informatën e saktë për adresën e qëndrimit dhe numrat e telefonit nëse do të qëndroni tek miqtë apo të afërmit tuaj. Policia kufitare e shtetit Shengen ka të drejtën t’i mohojë hyrjen çdo qytetari nëse nuk posedoni informata dhe dokumente të mjaftueshme që arsyetojnë qëllimin e vizitës dhe mbulesën e kostove gjatë qëndrimit atje.

A nënkupton liberalizimi punësim jashtë shtetit?

Liberalizimi i vizave në asnjë rast nuk nënkupton mundësi punësimi në shtetet e zonës Shengen. Nëse doni të udhëtoni për qëllime të punësimit atëherë ju duhet të aplikoni për një vizë pune, gjithnjë sipas kritereve të shtetit prej nga keni arritur të siguroni një kontratë pune.

A mund të shkollohesh atje?

Liberalizimi i vizave nuk nënkupton mundësi shkollimi apo studimi meqë periudha e studimeve është më e gjatë se 90 ditë. Në rast se dëshironi të studioni në një nga shtetet Shengen, atëherë ju duhet të pajiseni me vizë studimore që mundëson qëndrimin tuaj më të gjatë se 90 ditë. Për këtë duhet të kontaktoni ambasadën e shtetit në të cilin planifikoni të studioni.

Në rast se ju dëshironi të vijoni trajnime, konferenca, seminare, punëtori, shkolla verore ose dimërore të shkurta, programe edukimi 1-2 mujore, kurse afatshkurta të cilat nuk kërkojnë qëndrim më të gjatë se 90 ditë, atëherë ju mund të përfitoni nga procesi i liberalizimit të vizave dhe nuk  keni nevojë të pajiseni me vizë.

Çfarë pasoja mund të keni në rast të shkeljeve eventuale?

Në rast të shkeljeve eventuale dhe abuzimit të udhëtimit pa vizë, pasojat personale përfshijnë: shqiptimin e gjobës financiare, shënim zyrtar në pasaportën dhe dosjen tuaj ku figuron shkelja në sistemin Shengen si dhe ndalimi i hyrjes së zonën Shengen deri në 5 vite.

Çka nuk lejohet e që shpie deri te dëbimi apo refuzimi i hyrjes pa vizë në të ardhmen?

Së pari, nuk duhet të shkelen afatet e lejuara të qëndrimit 90 ditë brenda çdo periudhe prej 180 ditëve.

Së dyti, nuk duhet të shkelet legjislacioni i shtetit që vizitoni mbi rregullat e punësimit, pra nëse gjindeni duke punuar do të bëheni subjekt i largimit e kthimit në Kosovë dhe ndalimit të hyrjes në të ardhmen.

Së treti, nuk duhet të shkaktoni probleme për sigurinë publike e të bëheni barrë publike.

Së katërti, nuk duhet të përfshiheni në aktivitete kriminale.

Së pesti, nuk duhet të aplikoni për azil.

Çka duhet pasur kujdes të kemi me vete?

Gjatë udhëtimit në zonën Shengen, shtetasit e Kosovës duhet të kenë me vete:

  1. Pasaportë biometrike e vlefshme: Sigurohuni që pasaporta juaj të jetë e vlefshme për të paktën tre muaj përtej datës së largimit nga zona Shengen.
  2. Informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit: detajet e udhëtimit, duke përfshirë rezervimet e biletave kthyese, nëse merrni pjesë në një ngjarje agjendën, rezervimet e hoteleve ose adresën e telefonat e të afërmve tuaj nëse do të qëndroni tek ata.
  3. Dëshmi për posedimin e mjeteve të mjaftueshme financiare gjatë qëndrimit në Zonën Shengen, ku përfshihen para kesh apo kredit kartë apo pasqyra e kartës së kreditit. Secili shtet ka rregulla të ndryshme sa i përket shumës së mjeteve që ju duhet ti keni për 1 ditë qëndrimi. Për çdo informatë më të fundit, çdo shtet anëtar përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të Shteteve Anëtare përkatëse nëpërmjet të cilave ju synoni të hyni në Shengen.
  4. Nëse udhëtohet me makinë, dokumentacionin e nevojshëm të makinës (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinës).

Dokumentet shtesë të nevojshme në rast udhëtimi për arsyet si në vijim:

  1. Në rast udhëtimi për arsye turizmi apo për pushime (udhëtim i pavarur nga pritja apo shoqërimi i një personi tjetër, shtetas apo rezident në vendin pritës) duhet të paraqitet një rezervim hoteli apo akomodim tjetër dhe bileta e kthimit.
  2. Në rast udhëtimi për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme kulturore, sportive, konferenca e seminare duhet të paraqitet dokumentacioni mbi aktivitetin dhe ftesa apo dëshmi për pjesëmarrje në aktivitet, përfshirë agjendën.
  3. Në rast udhëtimi për arsye shëndetësore varësisht nga shteti që vizitohet juve mund t’ju kërkohen dokumente të ndryshme si pjesë e verifikimit të kushteve për qëndrimin tuaj. Për shembull, juve mund t’ju kërkohet dëshmi nga institucioni shëndetësor pritës si dëshmi për trajtimin shëndetësor të planifikuar apo ftesa për analizat mjekësore. Gjithnjë të keni kujdes që trajtimi shëndetësor duhet të përfundoj brenda periudhës 90 ditore. Nëse trajtimi do të zgjas më shumë se 90 ditë, atëherë duhet të siguroni vizën përkatëse.
  4. Në rast udhëtimi për për vizitë tek një i afërm, të jepet informacion mbi këtë person me të dhënat e tij si adresa, numri i telefonit etj; një kopje e leje qëndrimit të pritësit.
  5. Nëse udhëtohet me makinë, dokumentacionin e nevojshëm të makinës (leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe kartoni i gjelbër i sigurimit ndërkombëtar të makinës).

Cila janë arsyet që polici kufitar mund të refuzoj hyrjen?

Policia kufitare e shtetit Shengen ka të drejtë t’i mohojë hyrjen çdo qytetari në rast se:

  1. Nuk ka pasaportë me vlefshmëri të mjaftueshme (minimumi 3 muaj pas periudhës së planifikuar të kthimit nga zona Shengen);
  2. Paraqet dokumente të falsifikuara;
  3. Nuk posedon dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit;
  4. Nuk paraqet dëshmi se ka mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit;
  5. Ka tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore;
  6. Paraqet rrezik për sigurinë publike, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare për një apo më shumë shtete të Shengenit;
  7. Kur ka të dhëna se personi është përfshirë në aktivitete kriminale apo dëshmi të qarta se ka për qëllim një gjë të tillë.

Kush nuk mund të udhëtoj në zonën Shengen?

  1. Persona që figurojnë në listat e personave që përbëjnë kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.
  2. Persona ndaj të cilëve është dhënë masa ndalim hyrje qoftë edhe në një nga vendet e zonës Shengen, apo kanë qenë subjekt i një urdhër largimi, largimi me forcë (kthimi apo dëbimi), që kryesisht zbatohen për raste të qëndrimit të paligjshëm.

Çdo udhëtar duhet të ketë parasysh se hyrja pa vizë në Bashkimin Evropian nuk është e garantuar. Hyrja mund te refuzohet nga policia kufitare në rast se nuk keni pasaportë valide me afat të mjaftueshëm, nuk keni dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin e planifikuar në zonën Shengen, apo në të kaluarën keni tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore.

Çfarë ndodh nëse qytetarët Kosovarë do të shkelin rregullat e qëndrimit?

Qytetarëve Kosovarë do t’u kërkohet që të zbatojnë disa kërkesa dhe rregulla, jo vetëm gjatë hyrjes në vendet e BE-së por edhe gjatë qëndrimit të tyre në këto vende. Nëse qytetarët Kosovarë do të shkelin këto rregulla, ata do të bëhen subjekt i largimit apo deportimit me forcë, veprim i cili shoqërohet gjithmonë me ndalim hyrje deri në 5 vjet.

Për një kategori shkeljesh të rregullave të qëndrimit, shtetet anëtarë të BE-së aplikojnë masa administrative gjobe, të cilat shkojnë deri në 3,000 euro. Në rast se këto shuma nuk paguhen, atëherë personi i gjobitur nuk do lejohet të hyjë në atë vend deri sa ta paguajë atë me gjithë interesin për vonesën.

Me rëndësi është të dihet se cilat janë këto rregulla që Kosovarët nuk duhet ti shkelin:

  1. Nuk duhet të shkelin afatin e lejuar të qëndrimit që është 90 ditë për 180 ditë.
  2. Nuk duhet të shkelin legjislacionin vendas, kryesisht atë mbi punësimin. Pra, nëse kapen duke punuar, ata bëhen subjekt i largimit dhe ndalimit të hyrjes.
  3. Nuk duhet të bëhen problem për sigurinë publike, apo të përfshihen në aktivitete kriminale.
  4. Nuk duhet të bëhen barrë publike. Barrë publike janë personat të cilët nuk kanë të siguruar strehimin, ushqimin apo nevojat e tjera jetësore.

Me rëndësi:

Hyrja pa vizë në Bashkimin Evropian nuk është e garantuar. Hyrja mund te refuzohet nga policia kufitare në rast se nuk keni pasaportë valide me afat të mjaftueshëm, nuk keni dokumente që dëshmojnë qëllimin e udhëtimit dhe dëshmi se keni mjete të mjaftueshme financiare për qëndrimin e planifikuar në zonën Shengen, apo në të kaluarën keni tejkaluar 90 ditë qëndrimi në periudhën 180 ditore.

Comments are closed.