Prishtinë, 17 nëntor 2023
Para mbajtjes së tryezës ndërparlamentare të organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Kryetaren e Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Kryetaren e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit Shqipërisë, Mimi Kodheli dhe Jorida Tabaku.
Dy kryesueset e komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë shfrytëzuan rastin e këtij takimi për të uruar Kosovën mbi arritjen e liberalizimit të vizave, duke vlerësuar fushatën informuese e vetëdijësuese për qytetarët, që po zhvillohet nga Qeveria.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu kënaqësinë e tij që të mirëpresë kryesueset nga dy komisione kyçe të Kuvendit të Shqipërisë siç janë ai për Punë të Jashtme e për Integrim Evropian.
Palët diskutuan më tej dhe rreth zhvillimeve të fundit në vend e rajon dhe situatën e përgjithshme të sigurisë.
Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi znj. Kodheli dhe znj. Tabaku për takimin e bisedën e frytshme.
Last modified: 8 Dhjetor, 2023