Të martën, më 28 mars 2023, Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën Nën-komisionin e 7-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën, dhe Mbrojtjen dhe Shëndetin e Konsumatorit. Përfaqësuesit nga Kosova dhe Komisioni Evropian diskutuan zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e ndihmës shtetërore, prokurimit publik, të drejtave të pronësisë intelektuale, të drejtave të themelimit dhe lëvizjes së lirë të shërbimeve, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe ligjit për kompanitë, mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit. Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) e cila hyri në fuqi në prill 2016. Në të gjitha fushat, Komisioni dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të Agjendës së Reformës Evropiane dhe prioriteteve të Programit të Reformës Ekonomike, si dhe rekomandimet nga Raporti i Komisionit për Kosovën për vitin 2022.
Shumë nga çështjet e diskutuara kanë të bëjnë me sigurimin e një ekonomie konkurruese, duke përfshirë lehtësimin e biznesit dhe krijimin e kushteve të barabarta për kompanitë që bëjnë biznes, si dhe konsumatorët dhe bizneset që përdorin këto shërbime.
Për ndihmën shtetërore, Komisioni ngriti shqetësimin se Komisioni i Ndihmës Shtetërore të Kosovës ende nuk është emëruar dhe mbetet pa kuorum vendimmarrës. Ai ftoi autoritetet e ndihmës shtetërore që të vazhdojnë përafrimin e mëtejshëm me acquis, duke përfshirë legjislacionin dytësor dhe skemat ekzistuese të ndihmës shtetërore. Komisioni sugjeroi vazhdimin e trajnimit profesional dhe forcimin e kontrollit mbi ndihmën shtetërore.
Sa i përket politikës së konkurrencës, Komisioni vlerësoi përpjekjet e bëra nga Kosova në rritjen e bashkëpunimit me rregullatorët e sektorit dhe vazhdimin e ofrimit të trajnimeve dhe ndërgjegjësimit për rregullat e konkurrencës. Ai ftoi që të rrisë më tej rekordin e tij të zbatimit dhe të harmonizohet më tej me acquis. Kuorumi i Komisionit Kosovar të Konkurrencës mundëson funksionalitetin e tij, por ne sugjerojmë që urgjentisht të plotësohet me të gjithë anëtarët e tij dhe të rritet kapaciteti administrativ.
Për sa i përket prokurimit publik, Komisioni përshëndeti përparimin e bërë në përafrimin e mëtejshëm të kornizës legjislative të Kosovës me acquis të BE-së. Komisioni theksoi që të merret parasysh pavarësia funksionale e Organit Shqyrtues të Prokurimit brenda ligjit. Ai ftoi Kosovën që ta miratojë Ligjin dhe ta zbatojë atë. Kosova duhet të vazhdojë me zhvillimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimin e saj ndërinstitucional në fushën e prokurimit publik. Organi Shqyrtues i Prokurimit dhe Bordi duhet të kenë kapacitet të plotë.
Për të drejtat e vendosjes dhe lirinë për të ofruar shërbime, ndërsa përshëndeti zhvillimin e pikës së vetme të kontaktit, Komisioni theksoi se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të harmonizuar legjislacionin e mbetur me direktivën e shërbimeve të BE-së. Komisioni ftoi që të përafrohet më tej me acquis të BE-së pas hapjes së tregut të shërbimeve postare ndaj konkurrencës, gjë që është në interes të konsumatorëve dhe përdoruesve të biznesit. Sa i përket njohjes reciproke të kualifikimeve profesionale, Komisioni dëshiron të shohë më shumë progres në hartimin e profesioneve të rregulluara në Kosovë dhe harmonizimin ligjor duke përfshirë forcimin e kapaciteteve të Ministrisë.
Ndërsa për zbatimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, Komisioni përshëndeti progresin e bërë të Kosovës në fushën në përafrimin me acquis të BE-së për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta dhe për pronësinë industriale (markat tregtare dhe sekretet tregtare). Ai e ftoi Kosovën që të rrisë kapacitetin në këtë fushë dhe të zbatojë më tej të drejtat e autorit dhe të drejtat e ndërlidhura dhe të ndërmarrë hapa në luftën kundër mallrave të falsifikuara dhe piraterisë.
Për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, Komisioni përshëndeti zhvillimet në rritje në fushën e mbrojtjes së konsumatorit duke miratuar ligjet për mbrojtjen e konsumatorit dhe sigurinë e produkteve. Ai e ftoi Kosovën që të përforcojë përpjekjet e saj për të harmonizuar më tej me acquis të BE-së për të drejtat e konsumatorëve dhe për të fuqizuar mbrojtjen e konsumatorëve duke rritur numrin e inspektorëve.
Për shëndetin, Komisioni informoi për zhvillimet përkatëse në zonë. Komisioni kujtoi që të vazhdohet me harmonizimin legjislativ në sektorin e shëndetësisë. Ai theksoi rëndësinë dhe nevojën për financim të qëndrueshëm në fushën e shëndetit publik për të lehtësuar reformat e kujdesit shëndetësor dhe për të ofruar kujdes shëndetësor publik cilësor dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët. Komisioni theksoi gjithashtu rëndësinë e dispozitave të qëndrueshme financiare për të ofruar shërbime adekuate të kujdesit parësor shëndetësor dhe sigurim të detyrueshëm shëndetësor.
Së fundi, për ligjin për shoqëritë tregtare dhe shërbimet financiare, Komisioni vuri në dukje disa zhvillime në fushën e subjekteve afariste dhe legjislacionin përkatës por nevojiten përpjekje të mëtejshme për të plotësuar disa boshllëqe të bëra në fushën e regjistrimit të bizneseve, qeverisjes së korporatave dhe bankave. Ai e ftoi Kosovën që të vazhdojë me harmonizimin në të dyja fushat dhe të garantojë burime adekuate për të zbatuar dhe fuqizuar legjislacionin përkatës dhe masat e tjera, duke përfshirë kornizat e digjitalizuara të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Informata të përgjithshme
Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asociimit është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar çështje teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën evropiane.
Takimet e Komitetit dhe nën-Komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Përfundimet nga takimet janë të disponueshme në uebfaqen e Zyrës së BE-së në Kosovë https://eeas.europa.eu/delegations/kosovo_en. Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit; Bujqësia, Peshkimi, Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal, Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Statistikat. Dy grupe të veçanta mbulojnë reformën në administratën publike dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces. Takimet gjithashtu ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Last modified: 3 Prill, 2023