Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, organizoi dhe kryesoi në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës takimin vjetor të Komitetit të Përbashkët Monitorues për IPA, së bashku me Komisionin Evropian dhe delegacionin e kryesuar nga Vassilis Maragos, Shef i Njësisë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.
Takimi u mbajt pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes financiare për programin vjetor IPA 2022, përmes të cilit Kosova i përfitoi 62 milionë euro.
Fillimisht, u vlerësua adresimi i konkluzioneve nga viti i kaluar dhe u evidentua progresi në fushat si demokracia dhe qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, bujqësia dhe zhvillimi rural, konkurrueshmëria dhe zhvillimi i sektorit privat, kapitali njerëzor dhe shoqëria gjithëpërfshirëse, energjia dhe mjedisi.
Palët diskutuan edhe mbi projektet e identifikuara dhe propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës për programin IPA 2024 dhe u zhvillua vlerësimi i tyre për nga rëndësia dhe maturiteti. Këto projekte priten të finalizohen nga Komisioni Evropian dhe së shpejti të fillojnë projektet në fushën e drejtësisë, krimeve ekonomike, përafrimin me standardet e BE-së, thjeshtëzimi dhe digjitalizimi i shërbimeve administrative, mbrojtja e mjedisit përmes NATURA 2000, siguria e energjisë, Skema e Punësimit të Garantuar, digjitalizimi i arsimimit e arsimi në fëmijërinë e hershme e deri te pallati i kulturës “Gërmia”.
Komisioni Evropian u shpreh i kënaqur me progresin në zbatimin e projekteve e poashtu vendosi theksin në fuqizimin e kapaciteteve administrative dhe koordinuese për të arritur maksimumin nga kjo asistencë financiare. Ndërkohë përfaqësuesit e Qeverisë ngritën disa shqetësime për vonesa nga ana e kontraktorëve të BE-së kryesisht projekte të vonuara shkaku i krizës botërore me qasjen në tregje dhe ngritjen e çmimeve.
Përveç fondeve nga programet IPA, Kosova përkrahet edhe nga fondet e ofruara përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Vitin e kaluar nga ky instrument kemi përfituar grante investuese për energjinë diellore, në shumë prej 53 milionë euro, të cilat kombinohen me hua nga bankat zhvillimore që arrijnë në vlerën prej 180 milionë euro. Ndërsa në raundet e fundit të WBIF, muajin e kaluar kemi aplikuar për 2 grante investuese dhe 4 grante të asistencës teknike.
Me aprovimin e Planit Kombëtar për Zhvillim, Strategjisë së Energjisë 2022-2031, Reformën e Administratës Publike 2022-27, Pakon e ligjeve Antikorrupsion e Strategjinë sektoriale të Sundimit të Ligjit si dhe ligjet nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, tashmë kemi një kornizë të konsoliduar ligjore e institucionale e cila lehtëson identifikimin dhe hartimin e projekteve të ardhshme për fondet IPA dhe WBIF.
Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh pozitivisht periudhën e fundit në të cilën është intensifikuar bashkëpunimi me Komisionin Evropian dhe kemi arritur që brenda 6 muajve të programojmë dhe nënshkruajmë 3 marrëveshje financiare nga IPA III, përkatësisht ato për vitet 2021, 2022 dhe 2023. Tashmë, po punohet për programin e IPA 2024.
Në këtë takim vjetor ishin pjesëmarrës ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve Hekuran Murati, ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, zëvendësministra, anëtarë të kabinetit qeveritar, delegacioni nga Komisioni Evropian dhe përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë.
Last modified: 27 Mars, 2023