Budapest, 14 maj 2024
Dita e dytë në Budapest nisi me takimin e zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, me Ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó.
Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe rritja e bashkëpunimit ishin në fokus të bisedave. Zëvendëskryeministri e falënderoi ministrin Szijjártó për mbështetjen e Hungarisë ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Ai veçoi përkrahjen në procesin e liberalizimit të vizave, në pranimin e Republikës së Kosovës si pjesë e UEFA-s gjatë Konferencës së Budapestit në vitin 2016, e cila trasoi rrugën edhe drejt anëtarësimit tonë në FIFA si dhe votën pro anëtarësimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015. U vlerësua lartësisht dhe kontributi i vazhdueshëm i kontigjentit hungarez brenda KFOR-it, në ruajtjen e paqes e sigurisë në vend dhe rajon.
Duke theksuar se trendi i vëllimit të shkëmbimit tregtar mes dy vendeve tona është rritur në vitet e fundit, zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se duhet të vijojmë të forcojmë edhe më tej nivelin e bashkëpunimit të ndërsjellë e zgjerojmë format e mundësitë për shkëmbim tregtar e shërbimesh me interes të përbashkët.
Në takim u trajtuan dhe zhvillimet në vend e të arriturat në tri vitet e fundit, ku vendi ynë ka shënuar ulje të shkallës së papunësisë e cila më shumë se u përgjysmua nga 25.7% sa ishte në vitin 2019, në 11.8% në vitin e kaluar, mesatare të rritjes ekonomike në nivelin 6.2%, nivel të ulët të borxhit publik në krahasim dhe me shtetet anëtare të BE-së, rritje të të hyrave buxhetore me 47.7%, dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte dhe më shumë formalizim të ekonomisë në tri vitet e fundit sesa në periudhat paraprake. Progresi i vendit tonë është i dëshmuar dhe nga indekset e matjet ndërkombëtare të cilat evidentojnë përparimin tonë në sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, demokratizim të vendit e liritë civile.
Rrugëtimi i Kosovës në procesin e integrimit evropian ishte tjetër pikë thelbësore e bisedave mes palëve. Teksa u theksua bashkarisht rëndësia e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, zëvendëskryeministri nënvizoi angazhimin e vendit tonë në përmbushjen e kritereve, standardeve dhe agjendës së reformave në këtë proces, përfshirë përgatitjet sa i përket Planit të Rritjes, finalizimit të prioriteteve dhe listës së reformave indikative.
Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi rikujtoi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën tashmë për ecjen tutje në hapa konkret dhe pritjet që Kosova ka edhe nga Presidenca e ardhshme hungareze e Këshillit të BE-së në trajtimin meritor të aplikimit tonë.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi dhe rëndësinë e anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës e ku kërkoi përkrahjen nga secili shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe që e mbështet integrimin tonë drejt institucioneve kryesore ndërkombëtare.
Pas takimit bilateral, u zhvilluar dhe një konferencë e përbashkët për media. Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ministrin Szijjártó për mikpritjen dhe pikëpamjet e shkëmbyera.
Last modified: 17 Maj, 2024