Gjatë qëndrimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mbajti një diskutim me përfaqësues nga Komiteti për Politikë e Siguri (PSC), ku ishin prezent ambasadorë e përfaqësues të misioneve diplomatike të shteteve anëtare dhe nga BE-ja.
Në këtë bashkëbisedim, zëvendëskryeministri Bislimi prezantoi perspektivën evropiane të Kosovës, përkushtimin e angazhimin tonë në zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve.
Ai ritheksoi se Kosova mirëpret iniciativën e Komisionit të BE-së për planin e ri për zgjerim prezantuar nga Presidentja e Komisionit, znj. Von Der Leyen, si dhe pritshmëritë e Këshillit të BE-së, përfaqësuar nga Presidenti i Këshillit, z. Michel, që zgjerimi të arrihet deri më 2030.
Viti i kaluar ishte vit evropian për vendin ku u arrit liberalizimi i vizave dhe u aplikua për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për anëtarësim në BE. Ndërthurur me rritjen që njohu vendi në zhvillim ekonomik, e suksesin e faktuar në rankime ndërkombëtare në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, u dëshmua vullneti dhe angazhimi i Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës evropiane.
Vendi ynë dëshmoi se po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat vendi ynë është përballur.
Në lidhje me situatën aktuale, zëvendëskryeministri Bislimi tha se me 24 shtator Serbia orkestroi akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, ku u vra Rreshteri i Policisë, tashmë Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Faktet e përfshirjes së institucioneve të Serbisë janë të shumta, nga prezenca e organizimi i agresionit nga Milan Radojçiq, prezenca e truprojës së shefit të BIA, Vulin, e deri tek mjeti i gjetur e konfiskuar në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, vërtetimi i dhënë nga ushtria serbe për pajisje me armatim të rëndë, strehimi i terroristëve në Serbi dhe glorifikimi i tyre.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi pjesëmarrësit dhe mbi procesin e dialogut e takimin e fundit të nivelit të lartë mbajtur me 14 shtator.
Last modified: 9 Tetor, 2023