Tiranë, 28 shkurt 2024
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimin ministerial për Planin e Rritjes të organizuar në Tiranë, ku ishin prezent zëvendëskryeministra e ministra për Integrimin Evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim u diskutua mbi hapat e ardhshëm, mundësitë, prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
U theksua rëndësia e bashkëpunimit rajonal në kuadër të Planit të ri të Rritjes, për zgjerimin dhe integrim të përshpejtuar në programet, institucionet dhe politikat e BE-së. Më tej u shpreh dhe mbështetja për përafrimin e mëtejshëm ekonomik të Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik të BE-së, përmes procesit të zgjerimit të BE-së, si një përfitim reciprok për rajonin dhe për vetë BE-në.
Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi se duhet të ketë koordinim të mirë dhe linja të komunikimit mes shteteve të rajonit, ku të gjithë janë të barabartë dhe përfitojnë njëlloj. Gjithashtu, theksoi edhe rëndësinë e një procesi të vlerësimit të standardizuar të avancimit të vendeve, përmbushjes së obligimeve dhe përafrimit me BE-në. Konvergjenca e rajonit tonë me Bashkimin Evropian duhet të ndodhë paralel dhe me konvergjencën brenda Ballkanit Perëndimor, u shpreh zëvendëskryeministri. Ai përmendi dhe domosdoshmërinë e mosbllokimit të njëri-tjetrit në këtë rrugëtim.
Diskutimi mes palëve u fokusua edhe në bashkëpunimin në fushat e teknologjisë dhe inovacionit, lehtësimit të shkëmbimit tregtar dhe transportit, si dhe rëndësinë e bashkëngjitjes në Single Euro Payment Area (SEPA).
Last modified: 5 Mars, 2024