Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën
Raporti për Vendin (Country Report) është instrumenti kryesor i Bashkimit Evropian (BE) përmes të cilit Komisioni Evropian (KE) vlerëson rregullisht, çdo vit, përparimin e secilit shteti kandidat dhe kandidat potencial drejt aderimit në BE. Ky raport publikohet çdo vit për secilin shtet që gjendet në procesin e aderimit në BE, përkatësisht nga viti 1998. Deri në vitin 2015 ky raport është titulluar Raport i Progresit, ndërsa nga viti 2016 titullohet Raport për Vendin. Ky raport gjithashtu shërben për të siguruar vendimmarrje të informuar politike nga dy institucionet më të larta të BE-së – Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian – lidhur me hapat kryesorë të shteteve kandidate dhe kandidate potenciale drejt aderimit në BE.
Në këtë kuptim, Raporti i KE-së për Kosovën vlerëson të arriturat e Kosovës në zbatimin e reformave për aderim në BE në të gjitha fushat në kuadër të Kritereve të Kopenhagës. Vlerësimi fokusohet në zbatimin e obligimeve që parasheh MSA dhe mekanizmat e tjerë të integrimit në BE.
Vlerësimi në secilën fushë të acquis-së së BE-së, përkatësisht kapitull të negociatave të anëtarësimit, fokusohet në dy aspekte: progresin e arritur gjatë periudhës raportuese njëvjeçare dhe gjendjen aktuale në kuptim të stadit në të cilin ka arritur Kosova në perspektivë afatgjatë të anëtarësimit të plotë në BE. Progresi i arritur gjatë periudhës raportuese vlerësohet sipas gjashtë niveleve:
1. Kthim prapa (regres);
2. Aspak progres;
3. Progres i kufizuar;
4. Njëfarë progresi;
5. Progres i mirë; dhe
6. Progres shumë i mirë.
Gjendja aktuale vlerësohet sipas pesë niveleve të përgatitshmërisë:
1. Fazë e hershme;
2. Njëfarë niveli i përgatitshmërisë;
3. Mesatarisht i përgatitur;
4. Nivel i mirë i përgatitshmërisë; dhe
5. Nivel i avancuar i përgatitshmërisë.
Kontributi i institucioneve të Republikës së Kosovës për Raportin vjetor të KE-së për Kosovën
Me qëllim të informimit të KE-së për zhvillimet në zbatimin e reformave për aderim në BE, secili vend raporton rregullisht, dy herë në vit, për progresin e arritur, në formën e kontributeve, ose inputeve, për raportin për vendin.
Në këtë kuptim, Qeveria e Kosovës, në emër të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës dorëzon në KE kontribute dy herë në vit. Inputi fokusohet në tri shtyllat e Kritereve të Kopenhagës:
· Reformat politike për të arritur vlerat dhe normat themelore në bazë të të cilave funksionojnë shtetet anëtare të BE-së, në përputhje me Kriteret Politike;
· Reformat kyçe ekonomike drejt konvergjencës ekonomike me BE-në dhe zhvillimit të kapaciteteve për të përballuar konkurrencën brenda tregut të BE-së, në përputhje me Kriteret Ekonomike;
· Reformat në të gjithë kapitujt e acquis-së së BE-së, përkatësisht përgatitshmërinë për të siguruar funksionimin e tërë sistemit institucional dhe administrativ, në përputhje me Standardet Evropiane;
Në kuadër të këtyre tri shtyllave, kontributi fokusohet pesë aspekte:
· Reformat legjislative, me synim të përafrimit të tërë legjislacionit relevant kombëtar me acquis-në e BE-së;
· Reformat e politikave, me synim të përkthimit të rregullave të acquis-së në politika si dhe reformave politike e ekonomike, në plane konkrete;
· Reformat institucionale, me synim harmonizimin e tërë sistemit qeverisës të vendit për të qenë në gjendje për të zbatuar reformat dhe për të funksionuar në përputhje me kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane;
· Ngritjen e kapaciteteve institucionale, me synim zbatimin e reformave që kërkohen nga kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane acquis-së, dhe për të funksionuar në përputhje me këto kritere; dhe
· Gjendjen sa i përket zbatimit në praktikë në të gjitha fushat relevante, për të qenë në gjendje për të zbatuar reformat dhe për të funksionuar në përputhje me kriteret politike, kriteret ekonomike dhe standardet evropiane.