Integrimi Evropian

European Integration

Ministri Beqaj: Kosova është gati

August 31, 2012

Ministri i Integrimit Besim Beqaj thotë se janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Ai pret që Raporti i Progresit të tregojë punën e mirë të qeverisë.Kosova është gati

Prishtinë. Muaji shtator mund të jetë shumë fatlum për kosovarët. Nëse ndërkombëtarët e mbajnë fjalën, qytetarët e Kosovës më nuk mund të cilësohen “të izoluar”. Kështu beson Ministri i Integrimeve Besim Beqaj, i cili gjatë një interviste për “Zëri” deklaron se edhe Raporti i Progresit për këtë vit do të jetë më pozitiv sesa ai paraprak.

Sipas tij, të gjitha kërkesat e ndërkombëtarëve që cilësohen si “vizë” për t’i përfituar vizat janë plotësuar.
Hetimet e EULEX-it nëpër dikastere qeveritare ministri Beqaj nuk i sheh si negative, ndërkaq ai thekson se bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme për luftën që qeveria i ka shpallur krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës mohon se kryeministri Thaçi e ka shpërblyer atë me postin e ministrit për “butësinë” e treguar shpesh në raport me qeverinë. Beqaj nuk është i sigurt nëse do të marrë pjesë në Kuvendin e ardhshëm të PDK-së dhe nëse do të “anëtarësohet” në këtë parti. Ai thotë se posti i ministrit është vetëm fillimi i marrjes së tij me këtë “zanat”.

Shpreson që raporti i Progresit të jetë më pozitiv

– Z. ministër, pritet që shumë shpejt Komisioni Europian ta publikoj raportin e radhës për Kosovën. Çka mendoni çfarë do të jetë përmbajtja e këtij raporti?

Beqaj: Është e vërtet që Raporti i Progresit është dokument shumë i rëndësishëm për shtetin, dokument i rëndësishëm i komunikimit në mes të Kosovës dhe Komisionit Europian, është dokument i cili hartohet nga KE, dokument teknik i cili i vlerëson të arriturat e kohës kur raportohet, në këtë rast flasim për një periudhë një vjeçare.

Në bazë të inputeve që na janë dhënë dhe në bazë të progresit institucional, unë besojë që Raporti i Progresit do të jetë më pozitiv sesa vitin e kaluar, sepse shumë gjëra që janë përmendur në Raportin e Progresit të vitit të kaluar janë adresuar dhe ende janë në adresim e sipër. Ne si Ministri e Integrimit, përgjegjëse për koordinim të komunikimit me Komisionin Europian dhe me Agjencionin Europian nga seanca plenare që e kishim në korrik të këtij viti, kemi hartuar një plan operativ të komunikimit me institucionet qendrore e lokale për program shtesë që kanë dalë nga ky takim, nga seanca plenare. Unë pres që deri në fund të shtatorit ne do t’i japim edhe ato shpjegime shtesë që na janë kërkuar. Prandaj, nëse flasim për krahasimin me vitin e kaluar raporti do të duhej të ishte shumë më pozitiv.

– Raporti i kaluar ka adresuar korrupsion si dhe tenderët një burimor. A besoni se sivjet ka përmirësim në këto pika?

Beqaj: Është një çështje e trajtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar e cila ka të bëjë me segmentin e bazës legjislative për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe deri në fund të muajit shtator, Qeveria e Kosovës do ta ketë plotësisht të vendosur tërë legjislacionin civil. Në shumë vizita që unë kam pasur jashtë vendit, dhe që e kam shoqëruar kryeministrin është vlerësuar shumë lartë gatishmëria politike për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe përgatitjen që Qeveria po bënë në fushën e legjislacionit. Këtu flasim në mënyrë konkrete për Ligjin për Prokurimin Publik, i cili ka kaluar në qeveri që është ligj i standardeve evropiane i harmonizuar me Bashkësinë Europiane. Kjo është kërkuar në raportin e kaluar të progresit. Njëkohësisht janë kërkuar dhe ligjet që kanë të bëjnë me drejtësinë, siç janë ligji për gjykatat, për prokurorinë, për prokurorinë speciale, ligje që gjenden në Kuvendin e Kosovës.

– A besoni se hetimet e nisura nga EULEX-i nëpër disa dikastere qeveritare do të ndikojnë që raporti të ketë përmbajtje negative sikurse vitin e kaluar?
Beqaj: Unë besojë që është shumë mirë që gjërat kanë filluar të marrin kahen e duhur. Gjithashtu hetimet të cilat kanë filluar dhe që qeveria ka dhënë konfirmimin e saj se do ta përkrahë çdo hetim i cili të qon në emrat e njerëzve që janë duke keqpërdorur qoftë taksat e qytetarëve të Kosovës apo donacionet nga Unioni Europian. Unë konsiderojë që këto hetime të cilat janë duke u bërë dhe këto veprime, do të tregojnë përkushtimin e institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare për të ndalë diçka e cila me vite të tëra është shtresuar në shtetin e Kosovës.

– Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën është duke shkuar shumë ngadalë. Pse po ndodh një gjë e tillë?

Beqaj: Liberalizimi i vizave është proces që kërkon reforma të thella institucionale. Ai nuk nënkupton të drejtën e qytetarit për të shkuar dhe punuar, pra për të fituar lejen e qëndrimit dhe punësimit atje, por është vizitë më shumë turistike apo për të hulumtuar mundësitë e bashkëpunimeve në fusha të ndryshme ekonomike. Si proces ai ka filluar, ne kemi pasur një komunikim të rregullt me Komisionin Europian në fushën e parakushteve në të cilat janë vënë qeveritë e vendit për të hapur dialogun zyrtar për liberalizimin e vizave. Këtu kanë qenë kushtet siç janë hartimi i ligjeve për riatdhesim, strategjia për integrim, planin operativ për integrimin e njerëzve të kthyer në Kosovë. Është kërkuar gjithashtu që të bëhen parapërgatitjet për hartimin e regjistrave civil dhe njëkohësisht për sigurimin e dokumenteve, qofshin ato primare apo sekondare. Kriteret janë të ashpërsuara më shumë sesa për vendet tjera sepse sa më i gjerë dhe sa më i thellë të jetë Unioni Europian, aq më tepër thellohen edhe kriteret. Neve na është kërkuar strategjia për integrim të cilën e kemi bërë me qeverinë, e kemi aprovuar dhe ia kemi dërguar Komisionit, pastaj është kërkuar plani operativ për integrim dhe një fond inicial i cili kërkohet për sigurimin dhe garantimin e njerëzve të kthyer. Mund të them që të gjitha parakushtet sa i përket hapjes zyrtare të procesit për dialogun e vizave, pra për të marrë një strategjisë, të ashtuquajturit udhërrëfyesit janë të plotësuar dhe ne e kemi njoftuar Komisionin Europian për këtë.

– Kur konkretisht besoni se do ta marrim strategjinë?

Beqaj: Unë presë shpejtë, nuk flas këtu me termine, por pres shpejt. Është përmendur muaji shtator nga zoti Mirel gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është përmendur nga vlerësimet që ai i ka bërë gjatë qëndrimit të tij dhe nga dëgjimet që i ka pasur nga të gjitha dikasteret e rëndësishme të qeverisë për përgatitjet që janë bërë. Unë mund t’iu konfirmojë se nga pala kosovare të gjitha kushtet që i janë vënë Kosovës janë plotësuar. Ky proces është proces teknik dhe në procesin teknik ne kemi argumentuar se vendimi më shumë është politik sesa teknik.

Nuk ma shpërblyen postin e ministrit

– A iu ka shpërblyer kryeministri Thaçi me postin e ministrit për qëndrimin tuaj jo shumë kritik sa ishit kryetar i OEK-ut?

Beqaj: Jo. Unë nuk mendojë që qasja në jetën publike të Kosovës është me shpërblime. Mendoj që është qasje konstruktive, është kontribut të cilin duhet ta japim. Mendoj që kam qenë një njeri shumë kritik për zhvillimet që janë bërë dhe kam dhënë maksimumin tim për zhvillimin ekonomik me çka edhe biznesi ka përfituar shumë, sepse edhe Oda Ekonomike sot është një faktor shumë i rëndësishëm i krijimit të politikave ekonomike dhe ndikimit në këto politika, të cilin ndoshta nuk është modesti por duhet ta them se nuk e kanë pasur në kohën kur e kam marrë unë për ta udhëhequr. Prandaj në këtë konsilacion e mendojë edhe udhëheqjen time këtu në ministri që çdo sugjerim për avancim nuk është formë e shpërblimit apo kritikave por është formë e përgjegjësisë institucionale të cilën secili udhëheqës e ka.

– A keni preferenca politike, a do të futni në ndonjërën nga partitë politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës?

Beqaj: Unë kam qenë i angazhuar politik, edhe realisht para se të isha kryetar në OEK kam qenë i emëruar edhe politik i PDK-së. Kam bërë një ngrirje të përgjithshme të aktiviteteve të mia politike sepse vetë pozicioni i Odës Ekonomike ka qenë i tillë që OEK-u është përfaqësues i biznesit jo përfaqësues i politikës. Por sigurisht, kam hyrë me një pozicion të tillë për shkak se ka qenë një të themi ftesë e përbashkët e presidentit dhe kryeministrit, por sigurisht që në të ardhmen do të shohim se çfarë do të ndodhë. Vetë hyrja ime në një projekt të tillë sigurisht që do të pason me angazhimet e mia politike të mëtutjeshme.

– Angazhime në LDK apo PDK, meqenëse tash edhe pak pritet që ta ketë kuvendin PDK-ja?

Beqaj: Nuk e di. Ende nuk kam ndonjë plan konkret në këtë drejtim, por sigurisht që vetë hyrja ime në qeveri nënkupton edhe hyrje në politikë.

Intervistë e bërë nga e përditshmja “Zëri”

Last modified: August 18, 2022