Puna për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian është e përbashkët, e të gjitha institucioneve, por barra kryesore e koordinimit bie mbi zyrtarët nga strukturat e integrimit.
Qindra e-maile dhe dhjetëra dokumente, telefonata e takime koordinuese shkëmbehen çdo ditë ndërmjet institucioneve dhe zyrtarëve të integrimit. Intensiteti i punës sa vjen e shtohet me shtimin e instrumenteve dhe afrimin e Kosovës me BE-në.
Për këtë punë të përditshme që bëjnë e që nuk shihet në publik, i falënderova dhe diskutuam së bashku për sfidat dhe mundësitë.
Kapitali njerëzor është sfidë dhe mundësi njëkohësisht. Sfidë, pasi reformat kërkojnë staf të mirëpërgatitur që mbulon çdo sektor në 33 kapitujt e integrimit me BE-në, të cilët mbulojnë çdo fushë të jetës.
Mundësi, pasi përgatitja e mirë, planifikimi dhe angazhimi profesional e kthejnë vizionin në reforma dhe politika praktike që e sjellin ndryshimin më afër.
E janë pikërisht reformat e përditshme, ligjet dhe aktet nënligjore të përafruara me ato të Bashkimit Evropian që sjellin transformim, forcojnë demokracisë, zhvillojnë vendin dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Pikërisht tek ky ndryshim e gjejnë motivin zyrtarët e integrimit e ku pothuajse të gjithë janë përfitues të bursave për studime që mbulojnë kapitujt e integrimit.
Ju faleminderit.







