Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat (CERV)

CERV është lansuar në vitin 2021 dhe do të jetë aktiv deri në vitin 2027. Programi CERV ndahet në katër shtylla: 1) Barazia, Drejtësia dhe Barazia Gjinore – ku promovohen të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi, barazia dhe avancimi i integrimit gjinor dhe mosdiskriminues; 2) Pjesëmarrja dhe gjithëpërfshirja qytetare – ku promovohet pjesëmarrja e qytetarëve në jetën demokratike; 3) Daphne – luftimi i dhunës, përfshirë atë me bazë gjinore dhe dhunën kundër fëmijëve; 4) Vlerat e Unionit – ku promovohet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të BE-së.

Të drejtë përfitimi nga ky program kanë OJQ-të, kompanitë private, institucionet publike, institucionet hulumtuese, organizatat ndërkombëtare, universitetet, rrjetet evropiane. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për pjesëmarrje në qershor 2024, CERV është një nga programet më të reja ku merr pjesë Republika e Kosovës.

Zbatimi i programit bëhet përmes Zyrës së Kryeministrit – Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim, e cila gjithashtu përfaqëson pikën kombëtare të kontaktit për këtë program. Kjo strukturë koordinon komunikimin institucional dhe ndihmon në orientimin e aplikuesve vendas.

Programi Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat përbëhet nga katër shtylla:

(1) Vlerat e Bashkimit (Union Values)

Ky nënprogram ka për qëllim të mbrojë dhe promovojë vlerat e Bashkimit Evropian. Në përputhje me nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian, “Bashkimi themelohet mbi vlerat e respektimit të dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave. Këto vlera janë të përbashkëta për Shtetet Anëtare në një shoqëri ku mbizotërojnë pluralizmi, mosdiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia midis grave dhe burrave”. Ky nënprogram është vetëm për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, prandaj Kosova nuk merr pjesë.

(2) Barazia, të Drejtat dhe Barazia Gjinore

Ky nënprogram ka për qëllim të promovojë të drejtat, mosdiskriminimin, barazinë, përfshirë barazinë gjinore, dhe të avancojë integrimin e perspektivës gjinore dhe të mosdiskriminimit.

Projektet në këtë fushë do të:

  • parandalojnë dhe luftojnë pabarazitë dhe diskriminimin mbi bazë gjinore, origjinë racore ose etnike, feje apo besimi, aftësie të kufizuar, moshe apo orientimi seksual dhe duke respektuar parimin e mosdiskriminimit sipas nenit 21 të Kartës së BE-së;
  • promovojnë gëzimin e plotë të të drejtave nga gratë, barazinë gjinore, përfshirë balancin jetë-punë, fuqizimin e grave dhe integrimin gjinor;
  • luftojnë të gjitha format e diskriminimit, racizmit, ksenofobisë, afrofobisë, antisemitizmit, antigjipsizmit, urrejtjes ndaj myslimanëve dhe forma të tjera intolerance, përfshirë homofobinë dhe forma të tjera intolerance të bazuara në identitetin gjinor, si online ashtu edhe offline;
  • mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e fëmijëve, rrisin ndërgjegjësimin për të drejtat e fëmijëve në procedurat gjyqësore dhe forcojnë kapacitetet e sistemeve të mbrojtjes së fëmijëve;
  • mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për përfshirjen aktive dhe pjesëmarrjen e plotë në shoqëri;
  • trajtojnë sfidat që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe reformën e mbrojtjes së të dhënave, si dhe mbështesin dialogun ndërmjet palëve të interesuara në këtë fushë;
  • mbështesin përpjekjet për t’u mundësuar njerëzve të ushtrojnë të drejtat e tyre si qytetarë të BE-së dhe të zbatojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, si dhe të trajtojnë abuzimin me këto të drejta.

(3) Angazhimi dhe Pjesëmarrja e Qytetarëve

Ky nënprogram ka për qëllim të promovojë angazhimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën demokratike të Bashkimit Evrpianndhe shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të Shteteve të ndryshme Anëtare, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për historinë e përbashkët evropiane.

Projektet në këtë fushë do të:

  • kujtojnë, hulumtojnë dhe edukojnë mbi ngjarjet përcaktuese të historisë së vonë evropiane, përfshirë shkaqet dhe pasojat e regjimeve autoritare dhe totalitare, dhe të rrisin ndërgjegjësimin e qytetarëve evropianë për historinë, kulturën, trashëgiminë kulturore dhe vlerat e tyre të përbashkëta, duke rritur kështu të kuptuarit e tyre për Bashkimin, origjinën, qëllimin dhe diversitetin e tij;
  • promovojnë pjesëmarrjen dhe kontributin e qytetarëve dhe organizatave përfaqësuese në jetën demokratike dhe qytetare të Bashkimit, duke bërë të njohura dhe duke shkëmbyer publikisht pikëpamjet e tyre në të gjitha fushat e veprimit të Bashkimit;
  • promovojnë shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të vendeve të ndryshme, veçanërisht përmes binjakëzimit të qyteteve dhe rrjeteve të qyteteve, për t’u ofruar atyre përvojë praktike të pasurisë dhe diversitetit të trashëgimisë së përbashkët të Bashkimit dhe për t’i bërë të vetëdijshëm se këto përbëjnë bazën për një të ardhme të përbashkët.

(4) Daphne

Ky nënprogram ka për qëllim të luftojë dhunën, përfshirë dhunën me bazë gjinore.

Projektet në këtë fushë do të:

  • parandalojnë dhe luftojnë në të gjitha nivelet të gjitha format e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave dhe dhunën në familje, gjithashtu duke promovuar standardet e përcaktuara në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit);
  • parandalojnë dhe luftojnë të gjitha format e dhunës ndaj fëmijëve, të rinjve, si dhe dhunën ndaj grupeve të tjera në rrezik, si personat LGBTQI dhe personat me aftësi të kufizuara;
  • mbështesin dhe mbrojnë të gjitha viktimat direkte dhe indirekte të kësaj dhune, si dhuna në familje apo në marrëdhënie intime, përfshirë fëmijët që mbeten jetimë nga krimet në familje, dhe sigurojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje në të gjithë Bashkimin për viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Më poshtë mund të gjeni të gjitha thirrjet e hapura: Thirrjet e hapura të programit CERV

Për çdo pyetje apo paqartësi në lidhje me programin mund të kontaktoni në adresën: dco@rks-gov.net.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors