Programet e BE-së

Tregu i Vetëm:

Programi i Tregut të Vetëm (Single Market Programme) është program financues i BE-së për të ndihmuar tregun e përbashkët të arrijë potencialin e tij të plotë dhe të sigurojë rimëkëmbjen e Evropës nga pandemia COVID-19. Ai do të sigurojë një kuadër financimi më koherent dhe më të shkathët për të mbështetur objektivat kryesore, sikurse siguria ushqimore, mbrojtja e konsumatorit, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, një treg i përbashkët më efektiv, kualitet më i lartë statistikor dhe standarde evropiane më të efektshme.

Si rrjedhojë, ky program ofron shkallë të gjerë përfitimi për entitete të ndryshme, si institucionet qendrore, odat ekonomike, organizatat e konsumatorit, institucionet edukative, shoqatat e fermerëve, shoqatat e bujqëve, shoqatat e peshkatarëve, OJQ-të, prodhuesit, qendrat hulumtuese, ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha (private dhe shtetërore), qendrat e trajnimit.

Marrëveshja për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në këtë program ka hyrë në fuqi në qershor 2024. Kosova përfaqësohet në këtë program nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) si implementues të programit përmes pikës kombëtare të kontaktit.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Single Market  

Erasmus+

Erasmus+ është programi kryesor i BE-së për arsimin dhe trajnimin, rininë dhe sportin, i cili synon të përmirësojë mundësitë e arsimit dhe të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar. Programi ofron mbështetje për aktivitete të ndryshme, duke përfshirë mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, shkëmbime dhe projekte bashkëpunuese që promovojnë inovacionin dhe ekselencën. Erasmus+ mbulon arsimin e lartë, arsimin dhe aftësimin profesional (VET), arsimin e të rriturve, si dhe projekte në fushën e rinisë dhe sportit. Programi ofron përfitime si zhvillimi i aftësive, promovimi i mirëkuptimit ndërkulturor dhe përmirësimi i shkathtësive për sukses në një botë të globalizuar.

Përfituesit kryesorë janë studentët, profesorët, institucionet akademike, organizatat rinore dhe entitetet sportive, të cilët përfitojnë nga mundësitë për mobilitet, zhvillim profesional dhe rrjetëzim në nivel evropian dhe më gjerë.

Mobiliteti përfshin periudha studimi, praktike, trajnime dhe mësimdhënie që kontribuojnë në përmirësimin e aftësive dhe njohurive të pjesëmarrësve.

Në Kosovë, Erasmus+ koordinohet nga Zyra Erasmus+ e Kosovës, e cila është e pavarur dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Erasmus+

Evropa Kreative

Evropa Kreative është programi i Bashkimit Evropian për mbështetjen e sektorit kulturor dhe atij kreativ. Programi synon të nxisë diversitetin kulturor, konkurrencën dhe inovacionin, duke mbështetur mobilitetin artistik, zhvillimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkulturor në Evropë. Ky program synon të mbështesë kapacitetin e sektorëve kulturor dhe kreativ për të vepruar, bashkëpunuar dhe promovuar kulturën ndërkombëtarisht. Gjithashtu qëllimi i këtij programi është të rrisë qarkullimin ndërkombëtar të kulturës dhe krijimtarisë e të arrijë audienca të reja në Evropë dhe më gjerë si dhe të mbështesë bashkëpunimin e politikave transnacionale në mënyrë që të nxisë politikat e zhvillimit, inovacionit, ndërtimit të audiencës dhe modeleve të bizneseve te reja.

Evropa Kreative është e ndarë në tri nën-programe:

– Kultura;
– Fusha ndërsektoriale
– Media

Kosova është pjesë e programit që nga viti 2018, me qasje të kufizuar në nënprogramin e kulturës dhe në nismat ndërsektoriale, përjashtuar nënprogramin MEDIA për shkak të mungesës së harmonizimit të direktivës AVMS me ligjin kombëtar të Këshillit të Pavarur për Media.

Programi Evropa Kreative përmes nënprogramit të kulturës mbështet një gamë të gjerë sektorësh, si arkitektura, trashëgimia kulturore, dizajni, letërsia dhe botimi, muzika dhe artet skenike. Ky komponent inkurajon bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërmjet organizatave kulturore dhe artistëve brenda dhe jashtë Evropës, duke synuar të nxisë krijimin artistik dhe inovacionin, të promovojë dhe shpërndajë përmbajtjen evropiane, të krijojë mundësi ndërkufitare për artistët, si dhe të mbështesë tranzicionin digjital dhe mjedisor të sektorit kulturor dhe kreativ në Evropë.

Qëllimi i komponentës ndërsektoriale është të forcojë bashkëpunimin midis sektorëve të ndryshëm kulturorë dhe kreativë, duke i ndihmuar ata të përballen me sfidat e përbashkëta dhe të zhvillojnë zgjidhje inovative përmes promovimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, nxitjes së qasjeve të reja në krijim dhe shpërndarje të përmbajtjes, mbështetjes së mediave në përshtatjen me ndryshimet teknologjike dhe forcimit të rrjetit të Deskut të Evropës Kreative.

Desku i Evropës Kreative në Kosovë vepron brenda Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit dhe përbëhet nga ekipi përgjegjës për koordinimin, promovimin dhe mbështetjen e pjesëmarrësve të mundshëm në program, duke ofruar informacion dhe udhëzime praktike për aplikuesit potencialë, si dhe asistencë gjatë zhvillimit të projekteve.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative

Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat (CERV)

CERV është lansuar në vitin 2021 dhe do të jetë aktiv deri në vitin 2027. Programi CERV ndahet në katër shtylla: 1) Barazia, Drejtësia dhe Barazia Gjinore – ku promovohen të drejtat e njeriut, mosdiskriminimi, barazia dhe avancimi i integrimit gjinor dhe mosdiskriminues; 2) Pjesëmarrja dhe gjithëpërfshirja qytetare – ku promovohet pjesëmarrja e qytetarëve në jetën demokratike; 3) Daphne – luftimi i dhunës, përfshirë atë me bazë gjinore dhe dhunën kundër fëmijëve; 4) Vlerat e Unionit – ku promovohet mbrojtja dhe promovimi i vlerave të BE-së.

Të drejtë përfitimi nga ky program kanë OJQ-të, kompanitë private, institucionet publike, institucionet hulumtuese, organizatat ndërkombëtare, universitetet, rrjetet evropiane. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për pjesëmarrje në qershor 2024, CERV është një nga programet më të reja ku merr pjesë Republika e Kosovës. Kosova përfaqësohet në këtë program nga Zyra e Kryeministrit, përkatësisht Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim si implementues të programit përmes pikës kombëtare të kontaktit. Ky ekip është përgjegjës për koordinimin, promovimin dhe mbështetjen e pjesëmarrësve të mundshëm në program, duke ofruar informacion dhe udhëzime praktike për aplikuesit potencialë, si dhe asistencë gjatë zhvillimit të projekteve.

Horizon Europe

Horizon Europe është program kyç dhe ndër më të mëdhenjtë e BE-së i dedikuar për hulumtim dhe inovacion. Ky program ndihmon bashkëpunimin me fokus shkencor dhe përkrah politikat e orientuara drejt hulumtimit dhe inovacionit. Ngjashëm sikurse programet tjera, Horizon Europe fokusohet në zhvillimin, përkrahjen dhe implementimin e politikave të BE-së duke adresuar çështjet globale në të njëjtën kohë. Në ciklin e ri financiar (2021-2027) Horizon Europe edhe më tutje përkrah krijimin dhe shpërndarjen më të mirë të njohurive dhe teknologjive, vë theks të veçantë te përfshirja e qytetarëve në zhvillimet shkencore si dhe adreson ndikimet pozitive të hulumtimeve dhe inovacionit, siç janë përparimet në sektorët e shëndetësisë dhe ambientit. Për të arritur këtë, programi ështe i strukturuar në misione e caqe specifike që do të arrihen deri më 2027.

Përfituesit kryesorë përfshijnë kërkuesit shkencorë, universitetet, institucionet kërkimore dhe kompanitë private që kanë potencial për të zhvilluar inovacione teknologjike. Programi Horizon Europe në Kosovë koordinohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku zyrtarët publikë përkatës mbikëqyrin zbatimin e programit dhe aktivitetet promovuese të programit.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Horizon Europe

Fiscalis

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është përmirësimi i funksionimit të duhur të sistemeve të tatimeve në tregun e brendshëm duke forcuar bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse, autoriteteve të tyre tatimore dhe zyrtarëve të tyre. Programi Fiscalis i Bashkimit Evropian synon të mbështesë modernizimin dhe harmonizimin e sistemeve tatimore të vendeve pjesëmarrëse, duke përmirësuar efikasitetin e administratave tatimore dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet tyre. Këto objektiva arrihen përmes sigurimit të shkëmbimit të informacionit, mbështetjes së bashkëpunimit administrativ, dhe kur është e nevojshme dhe e përshtatshme rritja e aftësisë  administrative të vendeve pjesëmarrëse me qëllim të ndihmës në zvogëlimin e barrës administrative për autoritetet tatimore dhe kostot e përmbushjes tatimore për tatimpaguesit. Kosova iu bashkua programit në vitin 2022, me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) që menaxhon pjesëmarrjen e saj.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Fiscalis

Customs

Programi “Customs” është program bashkëpunimi i cili u ka mundësuar administratave doganore nacionale të shkëmbejnë informacion dhe ekspertizë nga fusha doganore. Kosova do të vazhdojë të marrë pjesë në programin Customs për periudhën 2021-2027 dhe për këtë qëllim ka nënshkruar marrëveshjen me BE-në.

Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është mbështetja e funksionimit dhe modernizimit të doganave në tregun e përbashkët doganor duke rritur dhe forcuar bashkëpunimin midis vendeve pjesëmarrëse, administratave doganore dhe zyrtarëve të tyre. Programi parasheh mbrojtjen e interesave financiare dhe ekonomike, rritjen e sigurisë, mbrojtjen e qytetarëve dhe të mjedisit, ngritjen e kapaciteteve administrative doganore, luftën kundër mashtrimeve dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore intelektuale. E gjitha synohet të arrihet përmes kompjuterizimit, harmonizimit të procedurave dhe kontrolleve doganore, lehtësimin e tregtisë së lirë, zhvillimin e praktikave më të mira të punës, si dhe përforcimin e aftësive dhe kompetencave të zyrtarëve doganorë.

Kosova ka filluar pjesëmarrjen në Programin për Doganat me një marrëveshje me BE-në në vitin 2022, duke lejuar Administratën Doganore të Kosovës të angazhohet në aktivitete të ndryshme brenda programit. Dogana e Kosovës vepron si koordinatori kombëtar dhe pika kryesore e kontaktit për të gjitha çështjet që lidhen me programin.

Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe BE-së për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Customs

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors