Në përfundim të misionit të tij diplomatik në Kosovë, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti në takim Ambasadorin Westerlund.
Z. Zulfaj e falënderoi Ambasadorin Westerlund për kontributin e tij në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Suedisë me ç’rast theksoi se Kosova dhe Suedia janë të lidhura përmes vlerave të përbashkëta dhe miqësisë së qëndrueshme. Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme dhe e çmuar e Suedisë për Kosovën, si një nga partnerët e rëndësishëm në zhvillimin demokratik dhe socio-ekonomik të vendit, si dhe në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryenegociatori Zulfaj veçoi themelimin e Odës Ekonomike Nordike, hapjen e Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim nga Ericsson, si dhe praninë e brendeve Lindex dhe Volvo, si shembuj konkretë të bashkëpunimit ekonomik që do të kontribuojnë edhe më tej në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe vizita e Kryenegociatorit Zulfaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë në Stokholm, gjatë së cilës ai theksoi rëndësinë e avancimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes marrjes së statusit të vendit kandidat.
Kryenegociatori Zulfaj i uroi Ambasadorit Westerlund suksese në kapitullin e ardhshëm të rrugëtimit të tij.



