Kryenegociatori Zulfaj merr pjesë në ministerialin e BE-së në Luksemburg, Kosova zyrtarizon bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike.
Luksemburg, 13 tetor 2026 – Republika e Kosovës zyrtarizoi bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike, qendër kjo e themeluar nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian nëpërmjet së cilës pritet të përfitojë nga projekte të shumta që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë demokratike në mbarë Evropën.
Zyrtarimi i këtij bashkëpunimi u bë në kuadër të pjesëmarrjes së Kryenegociatorit të Republikës së Kosovës me Bashkimin Eveopian, z. Jeton Zulfaj, në ministerialin e organizuar nga Irlanda (Këshilli për Çështje të Përgjithshme i BE-së), si kryesuese e Presidencës së radhës e BE-së dhe ku morën pjesë ministrat e 27 shteteve anëtare, ministrat respektiv nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
Në kuadër të këtij takimi, diskutimet u përqëndruan në mënyrat se si mund të thellohet bashkëpunimi praktik përmes projekteve fillestare prioritare të Qendrës, duke përfshirë menaxhimin e krizave, matjen e qëndrueshmërisë, shkëmbimin e metodologjive dhe standardeve, mbështetjen për sigurinë e jetës demokratike, si dhe zgjerimin e mundësive për trajnime në shtetet respektive.
“Zyrtarizimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Qendrës Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike shënon fillimin e një faze të re në përballjen me sfidat e përbashkëta si manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion e njohur si FIMI, përderisa Kosova mbetet cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, përfshirë narrativat ruse që shpërndahen në rajon përmes Serbisë, me synim polarizimin shoqëror dhe minimin e zgjedhjes demokratike të qytetarëve”, ka thënë Kryenegociatori Zulfaj, duke vlerësuar se nga ky bashkëpunim do të përfitojnë jo vetëm institucionet e vendit, por e gjithë shoqëria dhe të qytetarët e Kosovës.
Kryenegociatori Zulfaj kishte marr pjesë edhe në ministerialin që u organizua nga kryesuesja e presidencës së BE-së – Qipro dhe Komisioni Evropian në Luksemburg në muajin qershor dhe ku Kosova ishte përfshirë në Mburojën e Demokracisë Evropiane, respektivisht në mekanizmat e kësaj iniciative, duke përfshirë kanalet e paralajmërimit të hershëm, protokollet e reagimit ndaj incidenteve, ushtrimet e reagimit të shpejtë, si dhe lidhjen e fakt-kontrolluesve (fact-checkers) dhe studiuesve nga Kosova me Observatorin Evropian të Medieve Digjitale (EDMO).
