Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me BE-në, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi sot në Stokholm një takim të frytshëm me Ambasadorin Torbjörn Sohlström, Drejtor i Përgjithshëm dhe Shef i Departamentit për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë. Në takim morën pjesë gjithashtu z. Carl Michael Gräns, Zëvendës-shef i Departamentit, si dhe znj. Emilie Johansson dhe znj. Andrea Masreliez Hall, përgjegjëse për çështjet që lidhen me Kosovën.
Kryenegociatori Zulfaj e falënderoi z. Sohlström për ndihmën dhe kontributin e Suedisë në ndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës. Si një ndër pesë donatorët më të mëdhenj në Kosovë, Suedia ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fusha thelbësore në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe avancimin e demokracisë dhe ka qenë e mbetet zë i qëndrueshëm në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në BE.
Z. Zulfaj theksoi progresin që Kosova ka bërë në rrugën e saj evropiane, duke nënvizuar se tani është koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat e anëtarësimit. Ai theksoi se pikërisht procesi i anëtarësimit është ai që sjell reformat e nevojshme për zhvillim dhe përparim të qëndrueshëm të vendit.
Z. Zulfaj ndau me Ambasadorin Sohlström progresin në agjendën e reformave dhe vlerësoi kontributin e tij shumëvjeçar në Kosovë, gjatë një periudhe të rëndësishme të historisë së Kosovës, periudhë për të cilën Ambasadori Sohlström ndau edhe kujtimet e tij personale.
