Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 8-të të Nënkomitetit për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Komisionit Evropian u takuan në Bruksel më 13 tetor 2026 për të diskutuar zhvillimet në fushat e tregtisë, industrisë, doganave dhe tatimeve në Kosovë, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Në të gjitha fushat, palët u pajtuan për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve të Programit të Reformave Ekonomike, Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjendës përkatëse të Reformave, si dhe të rekomandimeve nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025.

Në fushën e doganave dhe tatimeve, Kosova ka shënuar përparim, veçanërisht përmes zgjerimit të përdorimit të terminaleve doganore që menaxhohen nga institucionet publike, uljes së tarifave të terminaleve doganore, rritjes së mbledhjes së të hyrave, luftimit të mashtrimeve doganore dhe forcimit të kapaciteteve të Doganës së Kosovës. Komisioni mirëpriti planin e përditësuar të integritetit të Doganës së Kosovës dhe pret zbatimin e tij të plotë, si dhe përmirësimin dhe zbatimin e mëtejshëm të procedurës së zhdoganimit të mallrave të importuara para mbërritjes së tyre. Sa i përket Administratës Tatimore, BE-ja konstatoi përparim në digjitalizimin e shërbimeve të saj, duke përmirësuar kështu ofrimin e shërbimeve si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët e Kosovës. Megjithatë, Komisioni theksoi mungesën e përparimit në miratimin e ligjeve, veçanërisht të atyre që parashohin reforma fiskale.

Në fushën e tregtisë, u diskutua çështja e kapaciteteve të kufizuara brenda Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit dhe agjencive të saj përgjegjëse për infrastrukturën e cilësisë. Kapacitetet e mjaftueshme në këto agjenci janë thelbësore për të siguruar angazhim efektiv në të gjitha çështjet që lidhen me tregtinë dhe bashkëpunimin ekonomik rajonal.

BE-ja përgëzoi Kosovën për ratifikimin e Protokolleve Shtesë të CEFTA-s 5 (për lehtësimin e tregtisë), 6 (për liberalizimin e shërbimeve) dhe 7 (për zgjidhjen e kontesteve) dhe shprehu pritshmërinë për zbatimin e tyre sa më të shpejtë.

Në fushën e politikave industriale dhe politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), BE-ja inkurajoi Kosovën të ndajë mjete të mjaftueshme financiare për zbatimin e Planit të Veprimit 2026–2028 të Strategjisë për Zhvillim dhe Mbështetje Industriale. Palët u pajtuan se Kosova duhet të përshpejtojë themelimin e agjencive të reja për promovimin e eksportit dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Përveç rolit të këtyre agjencive në ofrimin e mbështetjes më të mirë për investimet dhe sektorin privat, funksionalizimi i tyre parashihet gjithashtu si një nga hapat në zbatimin e Planit të Rritjes. BE-ja mirëpriti gjithashtu hapat e ndërmarrë drejt harmonizimit të Ligjit për Vonesat në Pagesa në Transaksionet Tregtare me direktivën përkatëse të BE-së.

Në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, diskutimet u përqendruan në rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit me acquis-in e BE-së, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës së cilësisë në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut. Komisioni konstatoi hyrjen në fuqi të Ligjit për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe miratimin e akteve të fundit nënligjore të mbetura për zbatimin e Ligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve. Komisioni i kërkoi Kosovës të miratojë ligjet e reja për metrologjinë dhe akreditimin dhe të zbatojë Ligjin e ri për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Informata shtesë

Takimet e komitetit dhe nën-komiteteve të MSA-së bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Secili takim rezulton në veprime vijuese të dakorduara bashkërisht që do të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës. Koha ndërmjet takimeve lejon zbatimin e rekomandimeve dhe veprimeve të mëvonshme të dakorduara.  

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës BE-ja dhe Kosova diskutojnë çështje teknike dhe të politikave rreth reformave të lidhura me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të asistuar nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Secili takim i nën-komitetit monitoron dhe shoqëron realizimet e Kosovës në reforma dhe identifikon si mundet BE-ja të ndihmojë në këtë proces. 

Janë shtatë fusha të mbuluara përmes takimeve sektoriale të nën-komiteteve përkatëse: drejtësia, liria dhe siguria; inovacioni, shoqëria e informacionit, politikat sociale, arsimi dhe kultura; tregtia, industria, doganat dhe tatimet; tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit; bujqësia, peshkataria, pylltaria, siguria ushqimore; transporti, mjedisi, energjia, ndryshimi klimatik dhe zhvillimi rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat. 

Dy fusha të tjera, të mbuluara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma në administratën publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors