Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën takimin e 8-të të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal.
Hysni Nura, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Zyrës për Politika Sektoriale në Zyrën e Kryeministrit dhe Julien Crampes, Zëvendës Shef i Njësisë për Serbinë dhe Kosovën në DG për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, bashkëkryesuan sot në Bruksel takimin e 8-të të Nënkomitetit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE–Kosovë për Transportin, Energjinë, Mjedisin dhe Zhvillimin Rajonal.
Takimi, i cili mblodhi përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Kosovës, u përqendrua në progresin e arritur nga institucionet vendore dhe në planet e mëtejshme për avancimin e reformave në rrugën e integrimit evropian të Kosovës.
Në përputhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2025 dhe angazhimet reformuese të marra nga Kosova në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Komisioni inkurajoi Kosovën të përshpejtojë zbatimin e reformave në sektorët e transportit, energjisë, mjedisit dhe zhvillimit rajonal, përfshirë masat që lidhen me veprimin klimatik, tranzicionin e gjelbër energjetik, ndërlidhjen e qëndrueshme dhe qeverisjen mjedisore.
Duke mirepritur progresin e arritur në një sërë fushash, përfaqësuesit e Komisionit Evropian theksuan rëndësinë e adresimit të sfidave të mbetura. Kjo përfshin nevojën për rritjen e burimeve buxhetore, si dhe të kapaciteteve administrative dhe zbatuese në sektorin e mjedisit, avancimin e projekteve kyçe të konektivitetit dhe infrastrukturës, si dhe miratimin e Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën – si instrumenti kryesor planifikues për realizimin e një tranzicioni të drejtë klimatik dhe energjetik dhe për orientimin e investimeve të mëtejshme në energjinë e ripërtëritshme.
Komisioni Evropian mirëpriti progresin e arritur në ankandet për energjinë e erës dhe atë diellore, avancimin e reformave në tregun e energjisë elektrike, nisjen e bashkimit të tregut ditor të energjisë elektrike me Shqipërinë, si dhe progresin në transportin multimodal dhe sigurinë e aviacionit.
Kosova rikonfirmoi përkushtimin e saj për zbatimin e plotë të agjendës së reformave në fushën e tranzicionit të gjelbër, përfshirë prioritetet e identifikuara në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, si dhe për të siguruar që këto reforma të sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe bizneset.
Kosova dhe Komisioni Evropian u pajtuan të rrisin më tej bashkëpunimin, në mënyrë që reformat e ndërmarra të zbatohen plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur.
Me më shumë se 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, Bashkimi Evropian është partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare.
Informatë
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) është korniza përmes së cilës Bashkimi Evropian dhe Kosova diskutojnë rregullisht çështje teknike dhe të politikave që lidhen me reformat në kuadër të procesit të integrimit evropian. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të mbështetur nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë të acquis-së së BE-së. Takimet e organeve të MSA-së ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë për raportet vjetore të Komisionit Evropian.
Çdo takim i Nënkomitetit monitoron dhe mbështet zbatimin e reformave nga Kosova, si dhe identifikon mënyrat se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
Ekzistojnë shtatë fusha që mbulohen përmes takimeve sektoriale të nënkomiteteve: Drejtësia, Liria dhe Siguria; Inovacioni, Shoqëria e Informacionit, Politika Sociale, Arsimi dhe Kultura; Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet; Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndeti; Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria dhe Siguria Ushqimore; Transporti, Mjedisi, Energjia, Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimi Rajonal; si dhe Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat.
Dy fusha të tjera, të trajtuara përmes takimeve të grupeve të posaçme, janë reforma e administratës publike dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Takimet e Komitetit të MSA-së dhe të Nënkomiteteve bashkëkryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton me veprime të dakorduara të përbashkëta që duhet të ndërmerren nga institucionet e Kosovës. Periudha ndërmjet takimeve shërben për zbatimin e rekomandimeve dhe të veprimeve pasuese të dakorduara.
