Nikozi, 11 Maj 2026.
E nderuara Marilena,
Të nderuar përfaqësues të Komisionerit Evropian,
kolegë të nderuar,
Kosova është i vetmi vend në procesin e zgjerimit që ende nuk është kandidat. Është koha që kjo të ndryshojë.
Do të filloj me themeloret (grupi i parë zgjerimit), sepse kredibiliteti aty fillon.
Kosova është lider rajonal i Ballkanit Perëndimor në qeverisje demokratike, e konfirmuar nga Freedom House, Transparency International, World Press Freedom Index, World Justice Project dhe Instituti V-Dem. Zgjedhjet tona janë të lira, të ndershme dhe konkurruese; gjyqësori ynë është i pavarur; shtypi ynë është i lirë dhe ambienti mediatik është dinamik; shoqëria jonë civile është aktive.
Kemi kornizën kushtetuese më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Juristët e Këshillit të Evropës, gjatë vlerësimit të aplikimit tonë për anëtarësim, kanë konstatuar se korniza ligjore e Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon përtej standardeve ndërkombëtare.
Kemi marrëdhënie kontraktuale me BE-në përmes MSA-së, gëzojmë liberalizimin e vizave që nga 1 janari i vitit 2024, jemi pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe pjesë e instrumenteve të BE-së për para-aderim.
E kemi dënuar agresionin rus në Ukrainë në termat më të ashpër; kemi ofruar mbështetje ushtarake dhe humanitare, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe i jemi bashkuar të gjitha sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Vetëm javën e kaluar u përshtatëm me të 45 vendimet e Këshillit dhe deklaratat e Përfaqësueses së Lartë në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë. Jemi plotësisht të përafruar me BE-në.
Dhe jemi mirënjohës për ndihmën dhe kontributin e Bashkimit Evropian, që ka krijuar mundësi të mëdha për qytetarët tanë.
E megjithatë, pavarësisht gjithë progresit tonë, mbetemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat dhe pa vendim për hapjen e negociatave.
Premtimi i zgjerimit, i dhënë në Selanik në vitin 2003, duhet të përkthehet në praktikë. Ajo që nevojitet është unitet në angazhim. Zgjerimi është instrumenti më i suksesshëm i politikës së jashtme të BE-së për t’i shndërruar vendet aspirante në demokraci të konsoliduara. Kosova i ka përqafuar vlerat themelore të mishëruara në Nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.
Tani anëtarët e BE-së duhet të mbeten besnikë ndaj premtimit të tyre dhe të shpërblejnë ata që i përqafojnë vlerat e saj. Kjo është detyrë e secilit anëtar të Unionit, i madh apo i vogël.
Në frymën e Deklaratës së Schuman-it, që e kremtuam dy ditë më parë, kujtojmë se Bashkimi Evropian, mbi të gjitha, është një projekt paqeje – më i madhi dhe më i suksesshmi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Çdo anëtar që i është bashkuar, ka përfituar nga ky premtim. Ata nuk duhet t’ua mohojnë atyre që presin dhe që dëshirojnë të bashkohen.
Ne nuk kërkojmë rrugë të shkurtër as derë të pasme, kërkojmë vetëm një proces të bazuar në merita.
Falënderoj Presidencën Qipriote për mikpritjen.
Kanë kaluar më shumë se 40 muaj që kur kemi aplikuar për anëtarësim. Ende nuk është marrë vendim për statusin kandidat, pavarësisht qëndrimit të përsëritur të Komisionit Evropian se janë gati të japin një opinion.
Është koha që BE-ja të mbajë premtimin e saj. Është koha që statusi kandidati për Kosovën të bëhet zyrtar.
Ju Faleminderit.





