Me ftesë të profesorëve Odeta Barbullushi dhe Gentian Elezi, sot në Europe House bashkëbisedova me një grup studentësh ndërkombëtarë të Kolegjit të Evropës, kampusi në Tiranë, të cilët po zhvillojnë një vizitë studimore në Kosovë.
Diskutuam për demokracinë, liritë dhe procesin e integrimit evropian.
Kosova sot ka institucione demokratike, zgjedhje të lira, të ndershme dhe konkurruese, gjyqësor të pavarur, qeveri transparente, një shoqëri civile aktive dhe një hapësirë publike të gjallë.
Liria e shprehjes dhe liria e medias janë themeli i çdo demokracie. Ato janë vlera që duhet t’i mbrojmë çdo ditë. Por qytetarët duhet të jenë në gjendje ta dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra. Në një kohë kur gara është kush publikon më shpejt e kush merr më shumë klikime, faktet dhe analiza e thellë po mbeten shpesh pas. Dezinformata nuk ka nevojë të bindë të gjithë, mjafton të mbjellë dyshim.
Demokracia nuk mbrohet vetëm në institucione, por edhe në mënyrën si informohemi, si debatojmë dhe si argumentojmë me njëri-tjetrin. Ajo mbështetet te qytetarët e mirëinformuar, dhe kjo është përgjegjësi e përbashkët, e institucioneve, e medias dhe e secilit prej nesh.
Kosova është e përfshirë në nismën e Bashkimit Evropian të Qendrës Evropiane për Rezistencë Demokratike. “Mburoja Evropiane e Demokracisë” është nisma që ka për qëllim mbrojtjen e demokracive evropiane nga manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja (FIMI), si dhe nga dezinformimi digjital.
Folëm edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE, për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave si hapat e radhës të merituar, si dhe për përpjekjet tona që ky proces të ecë përpara, ndërkohë që vazhdojmë me reformat në vend.







