Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, takoi sot ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, znj. Åsa Pehrson, të cilës i uroi suksese në detyrën e saj të re.
Suedia ka qenë pranë Kosovës në periudha vendimtare të historisë së saj, nga rindërtimi pas luftës dhe forcimi i institucioneve demokratike deri te mbështetja e vazhdueshme për zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Z. Zulfaj vlerësoi kontributin konkret të Suedisë si një ndër pesë donatorët më të mëdhenj të Kosovës.
Takimi vijoi diskutimet e zhvilluara gjatë vizitës zyrtare të z. Zulfaj në Stokholm në muajin qershor, ku ai bisedoi me përfaqësues të institucioneve suedeze për mbështetjen e reformave dhe për avancimin e Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE.
Me ambasadoren Pehrson, Kryenegociatori Zulfaj diskutoi për përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave, prioritetet në procesin e anëtarësimit në BE dhe rëndësinë e mbështetjes së mëtejshme të Suedisë në këtë proces.
Z. Zulfaj e falënderoi ambasadoren Pehrson për miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të thellohet më tej në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.





