Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, zhvilloi sot takimin e parë me Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, zhvilloi sot takimin e parë me Komisionin Parlamentar për Integrim Evropian.

Në fokus të takimit ishin progresi në zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, sfidat e deritanishme dhe hapat e ardhshëm në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.

Gjithashtu, u diskutua për angazhimet institucionale dhe diplomatike në funksion të avancimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe marrjes së statusit të vendit kandidat.

Gjatë takimit, Zulfaj paraqiti një pasqyrë të progresit në zbatimin e Agjendës së Reformave. Nga 13 hapat me afat shtesë deri më 30 qershor 2026, shtatë janë zbatuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur të parealizuar, kryesisht si pasojë e vonesave të shkaktuara nga bllokadat institucionale dhe mungesa e një Kuvendi funksional. Si rezultat, Kosova konsiderohet që ka humbur rreth 43,8 milionë euro. Zulfaj sqaroi se shuma përfundimtare do të përcaktohet pas vlerësimit të Komisionit Evropian, vlerësim i të cilit pritet të publikohet në ditët në vijim.

Njoftimin për shumën e fondeve që pritet të humbin si rezultat i bllokadës në Kuvend, z. Zulfaj e ka dhënë me 1 korrik në konferencën për media pas skadimit të afatit që qershorit.

Lidhur me reformat e papërmbushura, Kryenegociatori theksoi se shumica kërkonin miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një periudhë kur ky institucion ishte i shpërndarë. Megjithatë, reformat përkatëse janë në rrugë të mirë për t’u përfunduar brenda këtij viti, përfshirë miratimin e projektligjeve në fushën e energjisë, projektligjit për sistemin e falimentimit, pakos ligjore për drejtësinë dhe strategjisë kundër krimit të organizuar. Ai nënvizoi se vonesat nuk nënkuptojnë heqjen dorë nga reformat, por mund të rezultojnë në humbjen e mjeteve financiare të lidhura me afatet e tyre të zbatimit.

Në kuadër të përparimeve të tjera, Zulfaj veçoi miratimin e ligjit të fundit të nevojshëm për përmbushjen e kushteve legjislative për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Anëtarësimi në këtë mekanizëm pritet të sjellë kursime prej mbi 55 milionë eurosh në vit për qytetarët, bizneset dhe diasporën.

Sa i përket prioriteteve të ardhshme, Kryenegociatori informoi anëtarët e Komisionit se deri më 31 dhjetor 2026 duhet të përmbushen edhe 22 hapa reformash, me një vlerë të përgjithshme prej 131,5 milionë eurosh. Për realizimin e tyre nevojitet miratimi i dhjetë projektligjeve nga Kuvendi, ndër të cilat projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është dorëzuar për shqyrtim. Projektligjet e tjera pritet të procedohen nga Qeveria gjatë këtij muaji, në varësi të pranimit të komenteve përkatëse nga Komisioni Evropian.

Duke marrë parasysh afatet e mbetura, Zulfaj theksoi nevojën që shumica e këtyre projektligjeve të shqyrtohen dhe miratohen me procedurë të përshpejtuar. Ai kërkoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, duke vlerësuar rolin e tij në ndërtimin e një konsensusi të gjerë ndërpartiak për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Agjenda e Reformave.

Në këtë kontekst, ai bëri thirrje që 59 ditët e mbetura deri në fund të vitit të shfrytëzohen për një angazhim të përbashkët institucional, në mënyrë që reformat të avancohen dhe të shmanget humbja e mëtejshme e fondeve të BE-së.

Përveç zbatimit të Planit të Rritjes, Kryenegociatori informoi deputetët edhe për angazhimet e vazhdueshme në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai përmendi pjesëmarrjen në takimet joformale të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, së bashku me ministrat përgjegjës për çështje evropiane, në Nikozia dhe Dublin, si dhe dy takimet e zhvilluara në të njëjtin format në Luksemburg. Gjithashtu, theksoi anëtarësimin e asociuar të Kosovës në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmëri Demokratike.

Në vijim, Zulfaj u ndal te vizita e tij në Bruksel gjatë muajit tetor, ku zhvilloi takime me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, dhe me drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore (DG ENEST), si dhe te angazhimet e vazhdueshme me Parlamentin Evropian dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë drejtim, ai vlerësoi se, me konstituimin e Kuvendit, është krijuar mundësia për intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar me vendet anëtare të BE-së. Angazhimi aktiv i deputetëve të Kosovës me homologët e tyre evropianë do të përbënte një kontribut të rëndësishëm në avancimin e përpjekjeve të përbashkëta për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Në përmbyllje të takimit, Kryenegociatori Zulfaj ritheksoi se Kosova i ka përmbushur kriteret e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, duke nënvizuar se pozita aktuale e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk pasqyron progresin e arritur në zhvillimin demokratik dhe institucional të vendit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors