Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë në Dialogun Strategjik për Zgjerimin, i cili sot mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë dhe studiues nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar të ardhmen e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Kryenegociatori Zulfaj paraqiti të arriturat e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke veçuar përparimin në demokraci, sundim të ligjit e liri themelore. Kosova po vazhdon njëkohësisht me zbatimin e reformave që burojnë nga Plani i Rritjes i BE-së.
Kryenegociatori theksoi se 10 nga 11 projektligjet që nuk arritën të miratohen brenda afatit të qershorit, për shkak të bllokadës në Kuvend, tashmë janë miratuar sërish nga Qeveria dhe do t’i përcillen Kuvendit për miratim. Ndër tjerash Qeveria mirtoi edhe projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, një prej parakushteve kyçe në përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në SEPA.
Për Kosovën, prioritet mbetet marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.
Zt. Zulfaj falënderoi Qendrën Austro-Franceze për Afrimin në Evropë, Ifri-n, Open Society Foundations dhe Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile për organizimin.







