Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, priti në takim shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Dirk Schuebel, të cilit i uroi mirëseardhje dhe suksese në detyrën e re.
Kryenegociatori Zulfaj theksoi se avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE është prioritet i Qeverisë dhe objektiv strategjik i vendit, dhe se Zyra e BE-së në Kosovë ka rol të rëndësishëm në këtë proces.
Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes dhe zbatimi i projekteve infrastrukturore të financuara nga BE-ja ishin ndër temat kryesore të takimit.
Në pritje të vlerësimit të raportit gjashtëmujor nga BE-ja dhe të pakos së ardhshme të zgjerimit, Kryenegociatori theksoi rëndësinë e një vlerësimi të drejtë të përparimit të gjithëmbarshëm të Kosovës.
Kryenegociatori Zulfaj falënderoi ambasadorin Schuebel për takimin dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe shkëmbime të rregullta gjatë mandatit të tij, në funksion të përparimit të Kosovës dhe forcimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.





