Në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, sot kisha kënaqësinë të marr pjesë në mëngjesin e punës për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Sllovenisë, z. Tone Kajzer, së bashku me ministrat e punëve të jashtme dhe të integrimit evropian të vendeve të rajonit.
Diskutuam për procesin e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe çështjet me interes të përbashkët për rajonin.
Theksova prioritetin tonë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Republika e Kosovës ka dëshmuar avancim në demokraci, fuqizim të sundimit të ligjit dhe zhvillim ekonomik, është plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe mbetet e palëkundur në përkushtimin ndaj vlerave evropiane të mishëruara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.
Avancimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE është në interes të BE-së dhe të rajonit.
Do të bashkëpunojmë me Slloveninë për të avancuar anëtarësimin tonë në BE.




