Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, z. Jeton Zulfaj, zhvilloi vizitën e tij të parë -pas marrjes së detyrës së re- jashtë vendit në Shqipëri.
Ai zhvilloi një takim kortezie me homologen shqiptare, Ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren për BE-në, znj. Majlinda Dhuka, të shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), znj. Eridana Çano.
Z. Zulfaj falënderoi znj. Dhuka për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. “Republika e Kosovës gëzohet për rezultatet tuaja”, tha ai.
Bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i domosdoshëm.
Z. Zulfaj theksoi se prioritet i Kosovës është marrja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave, si hapa të merituar, ku përvoja e Shqipërisë do të shërbej si një udhëzues për përgatitje dhe përshpejtim.
Znj. Dhuka e mirëpriti takimin dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të ndarë përvojat e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE, si pyetësori për marrjen e statusit të vendit kandidat, procesi i “screening”-ut, përgatitjet teknike për hapjen dhe mbylljen e negociatave, si edhe modelin e ndjekur nga Shqipëria për koordinimin institucional për integrimin evropian.
Znj. Dhuka theksoi rëndësinë e përgatitjes në kohë dhe e planifikimit të mirë për proceset e integrimit në BE dhe siguroi se Shqipëria do ta mbështesë Kosovën me përvojën e saj.
Ne jemi mirënjohës për gatishmërinë e Republikës së Shqipërisë dhe Ministrit të Shtetit dhe Kryenegociatores, znj. Majlinda Dhuka për të thelluar bashkëpunimim me Kosovën në shërbim të integrimit në Bashkimin Evropian.




