Në shënim të Ditës së Evropës, në ngjarjen e organizuar nga BIRN Kosova për lansimin e dokumentarit mbi mbështetjen e Bashkimit Evropian për Kosovën, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, z. Jeton Zulfaj, së bashku me Eva Palatova, Zv. Shefen e BE-së në Kosovë, dhe Arjeta Sadiku, Zv. Kryesuesen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, mbajti fjalën hyrëse të aktivitetit.
Në adresimin e tij, z. Zulfaj theksoi se Dita e Evropës përfaqëson një moment reflektimi mbi vlerat që bashkojnë kontinentin evropian – paqen, solidaritetin dhe bashkëpunimin – duke rikujtuar se Bashkimi Evropian ka qenë dhe mbetet partneri më i rëndësishëm i Kosovës në zhvillim dhe reforma. Ai foli për rëndësinë e përfitimeve konkrete që qytetarët e Kosovës kanë marrë nga mbështetja e BE-së ndër vite, si dhe për mundësitë që ofron Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Agjenda e Reformave për përshpejtimin e integrimit evropian të Kosovës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Z. Zulfaj gjithashtu potencoi se Kosova ka përmbushur kushtet për marrjen e statusit kandidat dhe për hapjen e negociatave. BE duhet të bashkohet në vendimmarrje në përputhje me zotimin e BE-së për zgjerim.










