Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit shkurt njihet si ETIAS (nga gjuha angleze). Sistemi ETIAS ende nuk është funksional dhe sipas paralajmërimeve mund të operacionalizohet dikur gjatë ose pas vitit 2024. Derisa nuk është ende në funksion, qytetarët e Kosovës me pasaporta valide do ta gëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza duke filluar nga 1 janari, 2024. Në momentin që është plotësisht operativ dhe funksionon, sistemi ETIAS do të vlej për të gjitha shtetet që nuk kanë viza për të hyrë në zonën Shengen, pra njëjtë edhe për Kosovën.

ETIAS është një sistem i automatizuar IT i cili duhet të zbulojë rreziqet, nga pikëpamja e emigracionit dhe sigurisë, te njerëzit që mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë. Në të njëjtën kohë, ky sistem do ta bëjë më të lehtë për shumicën dërrmuese të udhëtarëve që nuk paraqesin rrezik kalimin e kufijve. Të gjithë shtetasit jashtë BE-së që hyjnë në zonën Shengen pa viza, pra edhe poseduesit e pasaportës së Kosovës, do të duhet të aplikojnë për një autorizim udhëtimi përmes sistemit ETIAS përpara nisjes. Për këtë shërbim do të paguhet online një shumë simbolike e cila për momentin ende nuk është e caktuar. Informacioni i mbledhur nga ETIAS lejon kontrollimin paraprak për rreziqet e mundshme të emigracionit të parregullt dhe të sigurisë.

Pas plotësimit të formularit të aplikimit online, sistemi kryen kontrolle ndaj sistemeve të informacionit të BE-së për kufijtë dhe sigurinë. Në shumicën dërrmuese të rasteve, leja për të udhëtuar merret brenda pak minutash. Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të jetë i detyrueshëm për të hyrë në zonën Shengen. Rojet kufitare do t’i kontrollojnë këto autorizime, së bashku me dokumentet e udhëtimit, kur udhëtarët kalojnë kufijtë e BE-së. Ky para-kontroll i shtetasve të përjashtuar nga viza nga jashtë BE-së lehtëson kontrollet kufitare, shmang burokracinë dhe vonesat për udhëtarët që mbërrijnë në kufi, koordinon dhe harmonizon vlerësimin e rrezikut të shtetasve të vendeve të treta dhe redukton ndjeshëm refuzimet e hyrjes në pikat e kalimit kufitar.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors