Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian dhe Koordinatori Kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, Jeton Zulfaj, priti sot në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Ambasadoren Heleni Vakali.
Ambasadorja Vakali e uroi z. Zulfaj për marrjen e detyrës së re, ndërsa z. Zulfaj shprehu mirënjohjen për angazhimin konstruktiv të Greqisë dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që shtetet anëtare të BE-së luajnë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Në qendër të bisedës ishte procesi i integrimit evropian, me fokus të veçantë në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe kalimin në fazën e ardhshme të procesit. Z. Zulfaj nënvizoi se prioritet i tij dhe i Qeverisë është marrja e statusit kandidat dhe hapja e negociatave.
U vlerësuan marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimet tregtare dhe kontaktet ndërmjet qytetarëve.
Liberalizimi i vizave, i hyrë në fuqi më 1 janar 2024, ka gjeneruar rezultate konkrete dhe të matshme. Nga janari 2024 deri në qershor 2025, afërsisht dy milion qytetarë nga Kosova kanë vizituar Greqinë, dëshmi e qartë e potencialit të konsiderueshëm në sektorin e turizmit dhe bashkëpunimit ekonomik.
Z. Zulfaj e falënderoi për vizitën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në agjendën e integrimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


